NATO po kërkon zëvendësues të Jens Stoltenbergut

  • A.P /
  • 19 March 2024 - 18:50
NATO po kërkon zëvendësues të Jens Stoltenbergut

Këtë vit, në Bruksel janë në garë katër poste të mëdha politike: presidencat e Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, që aktualisht udhëhiqen nga Ursula von der Leyen dhe Charles Michel respektivisht, por edhe posti i shefit për politikë të jashtme, që është mbajtur për këto pesë vjet nga Josep Borrell. Më pas, është edhe një post në kryeqytetin belg. NATO po kërkon zëvendësues të Jens Stoltenbergut në postin e sekretarit të përgjithshëm, pasi shefi norvegjez po largohet nga ky post pas një dekade, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Dy samitet e Bashkimit Evropian që do të mbahen më 17 dhe 27 qershor, ku do të marrin pjesë krerët e 27 shteteve anëtare, do të vendosin për tri postet përmes negociatave prapa dyerve të mbyllura. Është një proces i ndërlikuar përmes së cilit kandidatët zgjidhen për të reflektuar balancën gjinore, përkatësinë politike (shpesh të ndarë mes partive panevropiane që përfaqësojnë qendrën e djathtë, qendrën e majtë dhe liberalët) dhe gjeografinë.

Presidenti i Komisionit Evropian zakonisht zgjidhet nga grupi politik që fiton më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në mbarë bllokun nga 6 deri më 9 qershor. Në katër zgjedhjet e fundit, grupi më i madh ka qenë Partia Popullore Evropiane (PPE) e qendrës së djathtë, dhe sondazhet sugjerojnë se ajo do të fitojë edhe këtë radhë. Kandidatja e tyre për këtë post, që u zgjodh në Kongresin e PPE-së të mbajtur në Bukuresht javën e kaluar, është Von der Leyen. Logjika thotë se ajo është në prag të një mandati tjetër pesëvjeçar në udhëheqjen e Komisionit Evropian.

(Kosova Sot Online)