Shqipëria e vazhdon pjesëmarrjen e trupave ushtarake në KFOR

  • A.P /
  • 20 March 2024 - 16:10
Shqipëria e vazhdon pjesëmarrjen e trupave ushtarake në KFOR

Këshilli i Ministrave të Shqipërisë vendosi sot shtyrjen deri në 31 dhjetor 2027, të pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Shqipërisë në operacionin ushtarak ndërkombëtar KFOR në Kosovë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime në vendimin “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak ndërkombëtar KFOR në Kosovë”.

Konkretisht, u vendos kohëzgjatja e këtij misioni nga 31 dhjetor 2024 në 31 dhjetor 2027.

Gjithashtu në vendim ndryshon edhe dieta për ditët e qëndrimit, pasi nga 6 000 lekë në ditë shkon në 12 mijë lekë në ditë, përveç pagës mujore.

Vendimi parashikon se periudha e qëndrimit në mision për çdo përfaqësues do të jetë me sistem rotacioni çdo 6 muaj dhe 1 vit për postin ACOS SPT, periudha, të cilave u shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës (marrje dhe dorëzim detyre, vonesa të transportit strategjik).

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.


(Kosova Sot Online)