Osmani: Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit

  • A.P /
  • 20 March 2024 - 16:24
Osmani: Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit

Presidentja Vjosa Osmani ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Samitin për Demokraci, i cili është organizuar sot virtualisht nga Republika e Koresë, nën udhëheqjen e Presidentit Yoon Suk Yeol. Samiti për Demokraci është nismë e Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, në kuadër të së cilit Kosova ndër vite është shquar në mesin e vendeve kampione për sa i përket reformave dhe nismave të ndërmarra në drejtim të fuqizimit të vazhdueshëm të demokracisë, njofton Presidenca, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në deklaratën e saj, Osmani solli në vëmendje rëndësinë jetike për forcim dhe zhvillim të mëtejshëm të demokracisë, duke theksuar domosdoshmërinë e unitetit nga shtetet demokratike përballë autokracive në rritje.

“Zotimet që kemi ndërmarrë në kuadër të Samitit për Demokraci i kanë prirë rrugëtimit tonë, si në politikë ashtu edhe në vendimmarrje”.

Në deklaratën e saj, Presidentja theksoi se që nga takimi i fundit i liderëve, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit në përputhje me strategjinë e miratuar gjithëpërfshirëse kombëtare, “një nga rezultatet më të rëndësishme në kuadër të zotimeve tona në Samitin për Demokraci”.


“Ne kemi dëshmuar gjithashtu edhe përkushtimin tonë ndaj standardeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit, duke miratuar Deklaratën kundër ndalimit arbitrar në marrëdhëniet ndërshtetërore; duke u bërë pjesë e Deklaratës së Parimeve për ta luftuar represionin transnacional së bashku me gjashtë vende të tjera demokratike, në tetorin e kaluar; si dhe duke punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara drejt avancimit të përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar manipulimin e informacioneve nga ndonjë shtet i huaj”.

Osmani ka folur edhe “mbi përpjekjet e vazhdueshme për ta luftuar dhunën me bazë gjinore, për t’i fuqizuar gratë ekonomikisht dhe për ta forcuar rolin e tyre në institucionet publike dhe politike, duke theksuar se barazia gjinore dhe fuqizimi i grave kanë qenë në themel të të gjitha zotimeve tona”.

Në prag të edicionit të dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në muajin prill në Prishtinë, Osmani ka theksuar se një ndër të arriturat më të mëdha këtë vit është themelimi i Qendrës së parë Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në partneritet me Zyrën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, në përputhje me Strategjinë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2023 të SHBA-ve, si dhe Planin Kombëtar të Veprimit.

(Kosova Sot Online)