Këto janë vendimet që i mori Qeveria Kurti sot

  • A.P /
  • 20 March 2024 - 16:48
Këto janë vendimet që i mori Qeveria Kurti sot

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje në mënyrë elektronike, ku ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për mbulimin e plotë të shpenzimeve për protezat e invalidëve të luftës jashtë institucioneve shëndetësore publike, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për mbulim e plotë të shpenzimeve nga trajtimi mjekësor i personave me status të invalidit të luftës për qëllim të ndërrimit, mirëmbajtjes apo vendosjes së protezave jashtë institucioneve shëndetësore publike, kur këto të fundit nuk ofrojnë këto shërbime. Ministria e Shëndetësisë në vitin e kaluar ka aprovuar një plan të veprimit për ngritje e kapaciteteve infrastrukturore dhe njerëzore në institucionet shëndetësore publike që këto shërbime të ofrohen në të ardhmen.”

Po ashtu, ka ndryshuar dhe plotësuar listën e artikujve për përdorim të përbashkët që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit publik.

“Ndryshuar dhe plotësuar e listën e artikujve për përdorim të përbashkët që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit publik, e aprovuar sipas pikës 1 të Vendimit të Qeverisë Nr. 06/27 i datës 30.04.2020, i plotësuar dhe ndryshuar me Vendimin Nr. 07/140 të datës 26.04.2023 dhe me Vendimin Nr. 13/148 të datës 29.06.2023.”

Qeveria ka emëruar komisionin ad hoc për vlerësimin profesional për përzgjedhjen e Drejtorit Ekzekutiv të Inspektoratit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo është përbërja: Anita Kalanderi, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, kryesuese; Venera Çerkini, Drejtore e Përgjithshme AZHB/MBPZHR, anëtare; Xheladin Krasniqi, Ushtrues i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar;  Shenaj Hoxha, Ushtruese e Detyrës së Udhëheqëses së Burimeve Njerëzore, anëtare; Egzone Osmanaj, Eksperte e jashtme, anëtare.

(Kosova Sot Online)