Selmanaj: Dauti i kishte dëgjuar në radiolidhje disa shqiptarë duke biseduar me policët serbë

  • A.P /
  • 22 March 2024 - 18:22
Selmanaj: Dauti i kishte dëgjuar në radiolidhje disa shqiptarë duke biseduar me policët serbë

Në prag të përvjetorit të 26-të të Epopesë së Dukagjinit, Rasim Selmanaj, një nga protagonistët e asaj ngjarje ka rrëfyer se para se të arrestohej nga policët serbë, Daut Haradinaj i kishte treguar se i kishte dëgjuar shqiptarët në radiolidhje duke biseduar me policët serbë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Ka qenë ditë e martë, rreth orës 10:00 kam dalur në dyqan që të marr cigare, në ndërkohë e kam parë Daut Haradinajn edhe e kam pyet pse ke dal këtu. Më tha automatikun e kam lënë, por me veti i kam dy bomba. Hynëm në dyqan e biseduam për temën e organizimit të luftës, por aty e ndërpreva dhe i thash këto tema është mirë të i flasim jashtë. Kur kemi dal jashtë, kemi filluar të ecim rrugës në drejtim të shtëpisë së Dautit, rrugës kemi biseduar gjithçka, sa armë janë në fshat, cilat familje i kanë këto armë, vendosëm që nga nesër të dalim haptas. Biseduam për bashkëpunëtorët serbë që ka pasur mjaftë të tillë, atë ditë Dauti më tregoj se disa shqiptar i ka dëgjuar në radiolidhje duke biseduar me policët serbë. Komunikimi ka qenë për t’i zbuluar gjurmët e pjesëtarëve të UÇK-së”, ka rrëfyer Selmanaj.

Ish i burgosuri politik ka treguar edhe momentin e arrestimit nga serbët, e planin që kishin ata për ta eleminuar atë.

“Në bisedë e sipër, Dauti e ka vërejt një veturë civile golf por që brenda ka pasur policë me uniforma. Aty më tha “Rasim Policia”, unë i thash që të shpërndahemi, e u përshëndetëm dorë me dorë me Dautin, por kjo përshëndetje në Gjykatë më përdorej kundër meje, pasi policët thonin që në atë moment i kam dhënë unë bomba Dautit, por nuk ka qenë ashtu. Në momentin e arrestimit donin të më vrisnin, por njëri nga policët tha jo se ky është person i rëndësishëm që na duhet i gjallë. Ajo që mund të them është që ajo veturë e Policisë e ka dekonspiru aksionin e tyre, që mund të përfundohej njësoj si në rastin e familjes Jashari”, është shprehu ai.

Në ditën e 24 marsit, do të pësonin dy policë, njëri nga ta i plagosur e tjetri nga ta me fatalitet.

“Kur kemi filluar të largohemi, policët i kanë rënë borisë, aty filluan të largohemi me vrap. Dy policë më ndoqën mua, e dy e ndoqën Dautin. Gjatë gjithë kohës policët qëllonin me armë në drejtim tonin, unë kam arritur që të vrapoj vetëm 500 metra, dhe aty më kanë arrestu. Në momentin e arrestimit, u dëgjuan disa të shtëna, nga banorët lokal, mirëpo policët e shfrytëzonin trupin tim si mburojë. Gjatë tërhekjes, ata gjetën një traktor, dhe me të më shoqëruan deri në stacionin e Policisë  në Irsniq. Pasi jam liruar kam kuptuar se Dauti është përleshur me policët serbë, motra e tij e ka parë e para dhe i ka lajmëruar vëllezërit e tij, ku së bashku me Shkëlzenin e Ramushin arritën ta tërheknin në mënyrë të sigurtë Dautin, aty i plagosën dy policët, njëri prej tyre e pësoi me fatalitet”, ka thënë mes tjerash në rrëfimin e tij Rasim Selmanaj.

(Kosova Sot Online)