Kishte marrë identitet të rrejshëm si shtetas i Kosovës, policia arreston të dyshuarin në Zubin Potok

  • E.K /
  • 23 March 2024 - 09:34
Kishte marrë identitet të rrejshëm si shtetas i Kosovës, policia arreston të dyshuarin në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Zubin Potok, pasi i njëjti kishte marrë identitet të rremë si shtetas i Kosovës, përcjell “Kosova Sot Online”.

“Zubin Potok 05.01.2024-NN. Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Mitrovicë Veri (NJRHKEK) pas një pune intensive operative hetimore në bashkëpunim me zyrtarë nga ARC-ja si dhe në koordinim me prokurorin e shtetit, më datë 22.03.2024 në Qendrën për Pajisje me Dokumenteve në Komunën e Zubin Potok kanë arrestuar një person me të dhëna të rreme nga Mitrovica, i cili ka tentuar të pajiset me dokumente personale pasaporte dhe patentë shofer”, thuhet në raportin e policisë.

Tutje, policia thotë se i njëjti më 07.06.2013 në ZGJC Mitrovicë veri përmes dokumenteve të falsifikuara është regjistruar me të dhëna të rreme ku më pastaj edhe pajiset me dokumente personale të RKS-së si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shofer.

“Më datë 05.01.2024 i dyshuari NN paraqitet për aplikim në QPD Zubin Potok për t’i vazhduar afatet kohore të dokumenteve personale të RKS-së. Në bashkëpunim me Inspektoratin pranë ARC-së dhe verifikimin e dokumenteve që i dyshuari NN i ka paraqitur me rastin e aplikimit, është ardhur deri te një dyshim i bazuar se kemi të bëjmë një person NN i cili ka marrë identitet të rremë si shtetas i RKS-së”, vijon njoftimi.

Lidhur me rastin, me vendim të prokurorit të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit policor prej 48 orë.

(Kosova Sot Online)