Stano: Jemi të shqetësuar për indikacionet e përfaqësuesve të regjimit të Moskës

  • A.P /
  • 25 March 2024 - 14:00
Stano: Jemi të shqetësuar për indikacionet e përfaqësuesve të regjimit të Moskës

BE thotë se është e shqetësuar për tentativat e Moskës për të drejtuar gishtin drejt Ukrainës për sulmin e së premtes, ku humbën jetën 137 persona dhe u plagosën 180 të tjerë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zëdhënësi i unionit për politikë të jashtme, Peter Stano, tha se nuk ka indikacione se Ukraina është përfshirë në sulm.

“Natyrisht, ne jemi të shqetësuar për indikacionet e përfaqësuesve të regjimit të Moskës që përpiqen të krijojnë një lidhje midis këtij sulmi dhe Ukrainës, të cilën ne padyshim e refuzojmë plotësisht.

Nuk ka asnjë indikacion, nuk ka asnjë provë që Ukraina ka ndonjë lidhje me këto sulme.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë ruse që të mos përdorë sulmet terroriste në Moskë si një pretekst apo motivim për të rritur agresionin e paligjshëm kundër Ukrainës, as ta përdorë atë si një pretekst për rritjen e represioneve të brendshme”, tha Peter Stano.

Kujtojmë që të dielën dolën para gjykatës katër personat e arrestuar si të dyshuar për sulmin dhe u lanë në paraburgim për të paktën dy muaj. Dy prej tyre pranuan fajësinë.

(Kosova Sot Online)