Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk e miraton kërkesën e Rusisë për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme për Kosovën

  • A.P /
  • 25 March 2024 - 20:53
Këshilli i Sigurimit të OKB-së  nuk e miraton kërkesën e Rusisë për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme për Kosovën

Kërkesën e delegacionit të Rusisë për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme për Kosovën në lidhje me 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, nuk ka miratuar Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në një votim procedural vetëm tre anëtarë votuan pro, e 12 tjerë abstenuan në votimin procedural.

Përfaqësuesit e Francës dhe SHBA-së insistuan se Rusia nuk është konsultuar fare me anëtarët e Këshillit të Sigurimit për këtë seancë. E përfaqësuesi i Rusisë ka insistuar se ajo kishte figuruar në agjendën dhe ishte publikuar në kalendar nga Presidenca Japoneze e OKB-së.

Përfaqësuesi i SHBA-së në OKB, Robert Wood, tha se vota e SHBA-së ishte abstenim për shkak të qasjes së Rusisë.

“Është fatkeqe që Federata Ruse ia humbi kohën këtij Këshilli. Kjo ka të bëjë me çasjen e Federatës Ruse se është ose sipas rrugës sime ose fare. Këshilli nuk funksionon kështu. SHBA-ja nuk ka asgjë për të fshehur për sa i përket mbështetjes së saj për operacionet e NATO-s të vitit 1999, veprimet ishin të domosdoshme, legjitime, për ta ndaluar spastrimin etnik në Kosovë. SHBA-ja votoi kësaj radhe për të abstenuar shkaku i çasjes së Rusisë. Por, mbështesim takim në formatin e duhur, që adreson çështjen e atij viti. S’mund të mbështesim seancë që në mënyrë flagrante instrumentalizon ngjarjet e një shekulli më parë. Fakti që Rusia shpreh kundërshtimin për pjesëmarrjen e Kosovës këtu sot, tregon për qëllimet e saj. Takimi që kërkoi Rusia nuk ka të bëjë me Këshillin, janë përpjekje të Kremlinit për të minuar stabilitetin në Ballkan e për të shfrytëzuar Këshillin për propagandë të saj”, tha Wood.

Këshilli i Sigurimit flet për 25 vjetorin e bombardimeve të NATO-s

Në përvjetorin e bombardimeve të NATO-së në Kosovë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së mban mbledhje të jashtëzakonshme e thirrur për sot nga Rusia.

(Kosova Sot Online)