Lavrov përzihet në punët e Kosovës, i del në mbrojtje Beogradit

  • E.K /
  • 26 March 2024 - 08:16
Lavrov përzihet në punët e Kosovës, i del në mbrojtje Beogradit

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov gjatë një interviste për dokumentarin me titull “25 vjetorit të sulmit ajror të NATO-s në Jugosllavi”  ka deklaruar se perëndimi nuk do të kënaqej me asgjë tjetër veçse ta ndante Kosovën nga Serbia.

Gjatë kësaj interviste, Lavrov foli edhe rreth takimeve që u mbajtën në Francë (Rambuje) në muajt shkurt dhe mars të 1999-tës.

“Ishte një poshtërim dhe një provokim i qëllimshëm që i shtynte serbët të hiqnin dorë nga gjithçka. Është e gjitha pjesë e të njëjtit zinxhir. Marrëveshjet e Minskut ndjekin të njëjtën logjikë nga këndvështrimi i interesave gjeopolitike perëndimore”, tha Lavrov.

Ai ndër tjera shtoi se qëllimi kryesor i vendeve perëndimore ishte të tërhiqnin vendet e Ballkanit në NATO, e më pas ato të anëtarësoheshin edhe në Bashkimin Evropian.

E para pak javësh, Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese dhe njohëse e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se Kosova dhe Bosnje-Hercegovina vazhdojnë të mbesin dy “kutitë shpërthyese” në rajon, derisa ka shtuar se Kisha Ortodokse Serbe po luan rol të rëndësishëm në përshkallëzimin e situatës, veçanërisht në Kosovë.

Në një ese të botuar në institutin amerikan për Strategji dhe Politika “New Lines” i cili të martën ka lansuar programin analitik “Observatori i Ballkanit Perëndimor”, ka nënvizuar se edhe pse popullsia e Kosovës përbëhet me mbi 90 për qind shqiptarë etnikë, serbët ende e shohin Kosovën “atdhe stërgjyshorë” që përmban vendet e shenjta të Kishes Ortodokse Serbe.

Ajo ka theksuar se ashtu siç shpërthyen luftërat në ish-Jugosllavi midis grupeve të ndryshme fetare dhe etnike në fillim të viteve 1990, ngjashëm Rusia po përdor Kishën Ortodokse Serbe për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin, derisa ka kujtuar protestat e dhunshme të serbëve në pjesën veriore të Kosovës që përbëjnë shumicën në këtë zonë në fund të muajit maj.

“Kisha Ortodokse Serbe luan një rol të rëndësishëm në Kosovë. Kisha Ortodokse e Rusisë ka përshkallëzuar mosmarrëveshjet e përsëritura mbi objektet fetare, së fundi duke shprehur shqetësimin për ‘fatin e faltoreve të krishtera në Kosovë’ pas ndezjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar studiuesja amerikane në esenë e saj të titulluar “Ndikimi rus në Ballkan”.

(Kosova Sot Online)