SHBA, 12 mijë viza speciale shtesë për afganët që punuan me misionin amerikan

  • A.P /
  • 26 March 2024 - 20:39
SHBA, 12 mijë viza speciale shtesë për afganët që punuan me misionin amerikan

Ligjvënësit amerikanë kanë përfshirë 12,000 viza speciale imigrimi shtesë për afganët që mbështetën misionin amerikan në Afganistan. Programi do të zgjasë deri në fund të vitit 2025 dhe është pjesë e shpenzimeve buxhetore amerikane prej 1.2 trilionë dollarësh, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ndërsa mbështetësit e vizave për afganët e përshëndetën lajmin, ata thonë se kërkesa e tyre ishte për 32,000 viza shtesë për afganët që rrezikuan jetën në shërbim të misionit amerikan në Afganistan.

Presidenti Joe Biden e nënshkroi në ligj buxhetin të shtunën vetëm disa orë pas miratimit nga Kongresi, duke shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë.

Krish O’Mara Vignarajah, drejtues i agjencisë për zhvendosjen e refugjatëve “Global Refugee”, vlerësoi përmes një deklarate bashkëpunimin mes dy palëve në Kongres.

(Kosova Sot Online)