Rusia i jep fund mekanizmit mbikëqyrës të OKB-së për zbatimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut

  • A.P /
  • 28 March 2024 - 20:12
Rusia i jep fund mekanizmit mbikëqyrës të OKB-së për zbatimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut

Kombet e Bashkuara – Rusia vendosi veton ndaj një rezolute të Kombeve të Bashkuara të enjten që praktikisht shfuqizon një mekanizëm mbikëqyrës të ekspertëve të kësaj organizate për zbatimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut për programin e saj bërthamor.

Ndryshimi i qëndrimi rus për mbikëqyrjen – të cilin vazhdimisht e kishte mbështetur në të kaluarën – nxiti akuzat e Perëndimit se Moska po vepron për të fshehur blerjen e armëve nga Koreja e Veriut për luftën e saj në Ukrainë, duke shkelur sanksionet e OKB-së.

Trembëdhjetë nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit votuan në favor, me Rusinë kundër dhe Kinën që abstenoi. Rezoluta e Këshillit të Sigurimit do të mundësonte zgjatjen e mandatit të ekspertëve për një vit, por vetoja e Rusisë i jep fund këtij mekanizmi. Sanksionet ndaj Koresë së Veriut ende mbesin në fuqi.

Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia tha para votimit se shtetet perëndimore po përpiqen që ta “mbysin” Korenë e Veriut dhe se sanksionet janë “të parëndësishme” dhe “të shkëputura nga realiteti” si masë për të frenuar programin bërthamor të këtij vendi.

(Kosova Sot Online)