Kurti mbrëmë hëngri iftar me qytetarë në një kuzhinë humanitare në Pejë

  • S.A /
  • 01 April 2024 - 09:46
Kurti mbrëmë hëngri iftar me qytetarë në një kuzhinë humanitare në Pejë

ZKM ka njoftuar se mbrëmë kryeministri Kurti ka ngrënë iftar me qytetarë në kuzhinën humanitare “Dera e Mëshirës” në Pejë, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Iftarin e mbrëmshëm, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e priti bashkë me qytetarë në kuzhinën humanitare “Dera e Mëshirës”, në Komunën e Pejës, e cila kuzhinë shërben ushqim dhe shujta të ngrohta për mbi 250 persona apo rreth 39 familje në 6 ditë të javës.”

Bashkë me të kanë qenë edhe ministri Elbert Krasniqi, zv/ ministri Taulant Kelmendi dhe deputetja Fatmire Kollçaku.

“I shoqëruar nga Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi dhe deputetja Fatmire Kollçaku, kryeministri tha se kishte kënaqësinë që sonte të ishin aty bashkë për të ndarë këtë moment së bashku dhe për të përcjellë porosinë e ndihmës për njëri – tjetrin, solidaritetit e tolerancës.”

ZKM thotë se 19 kuzhina popullore janë përkrahur nga qeveria përmes masës 3.4 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

“19 kuzhinat popullore të cilat shërbejnë ushqime dhe shujta të ngrohta për qytetarët janë mbështetur nga Qeveria përmes masës 3.4 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Qeveria do ta ketë qytetarin gjithmonë prioritet duke iu qëndruar afër dhe punuar për të gjithë që pa dallim të ketë mirëqenie dhe zhvillim.

Pas iftarit, Kurti ka bërë një shënim në kuzhinën humanitare, duke shprehur falënderimin e tij për mikpritjen e përzemërt.

“Falënderoj Derën e Mëshirës, në Pejë për mikpritjen e përzemërt sonte për iftar dhe për kontributin që japin: 38 familje përditë marrin ushqim dhe 250 anëtarë të tyre gjithsej. Falënderoj Ferdin dhe familjen e tij të mrekullueshme Xhaferi”, thuhet në shënimin e Kurtit.

(Kosova Sot Online )