Ja ku është i fokusuar takimi Bislimi-Petkoviq

  • A.P /
  • 02 April 2024 - 14:26
Ja ku është i fokusuar takimi Bislimi-Petkoviq

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se në takimin e së enjtes mes kryenegociatorit Besnik Bislimi dhe atij të palës serbe, Petar Petkoviq, temë qendrore do të jetë ajo për dinarin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Takimi i së enjtes është i fokusuar në çështje të tjera, sidomos në çështjet që janë diskutuar javën e kaluar dhe javën më parë për të zgjidhur kryesisht implikacionet e pasojave të vendimit të BQK-së”, ka thënë Stano sot në konferencë.

Ai tha se në takim do të diskutohet edhe për Asociacionin, por jo si temë kryesore.

“Asociacioni nuk është tema kryesore, por do të jetë prezente. Është prezente në secilin takim, në të gjitha ndërkomunikimet me partnerët e Kosovës, sepse është një nga kushtet që është vërtet urgjente të zbatohet sa më shpejt dhe pa ndonjë vonesë të mëtejshme”.

Zëdhënësi i BE-së ka përsëritur kërkesën e Bashkimit Europian që Kosova duhet të zbatojë me urgjencë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe pa vonesa.

“Është një kërkesë e kahershme, është një obligim i kahershëm nga ana e Kosovës, kështu që duhet të zbatohet urgjentisht. Kjo është përsëritur disa herë nga nivelet më të larta të BE-së, kështu që nëse Kosova nuk e arrin ta bëjë nuk do të shihet si shenjë pozitive e gatishmërisë për të vazhduar e që tash është e lidhur me progresin e Kosovës në rrugën europiane”.

(Kosova Sot Online)