AUV ia ndalon eksportin kompanisë pasi dyshohet se e shiti mishin nga Brazili si të Kosovës

  • A.P /
  • 02 April 2024 - 16:32
AUV ia ndalon eksportin kompanisë pasi dyshohet se e shiti mishin nga Brazili si të Kosovës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për eksport për kompaninë “Apetit sh.p.k”, pas raportimeve të mediave në Shqipëri se e njëjta kompani ka importuar mish nga Brazili dhe më pas ka falsifikuar dokumentet për origjinën e mishit, me ndihmën e AUV’it, duke shkruar në etiketa se është mish i freskët nga Kosova dhe e ka shitur më pas në Shqipëri, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zëdhënësi i AUV’it, Lamir Thaçi, ka thënë se tashmë është formuar Komisioni professional që do të gjurmojë të gjitha hyrje-daljet e biznesit për të vërtetuar dyshimet e ngritura.

Për këtë rast janë informuar edhe Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

“Pas dyshimit të ngritur për falsifikim të origjinë se produktit ushqimore( mish) nga Operatori Ekonomik Apetit sh.p.k. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për eksport për biznesin e lartcekur. Është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin ( gjurmushmërin/përputhshmërinë) e të gjitha hyrje daljeve të biznesit për të vërtetuar dyshimin e ngritur. Po ashtu janë informuar edhe autoritete tjera qe merren me taksat ( doganat, ATK). Të cilat do të gjurmojnë për pjesën e mandatit të tyre dhe në të njëjtën kohë do e mbështesim njëra tjetrën, me të dhënat rreth të gjeturave qe burojnë nga kontrollet e detajuara. Pas kompletimit të plotë të hulumtimit do të ju mbajmë të informuar mbi të gjeturat”, ka thënë Thaçi.

Sipas raportimeve të mediave, falsifikimi i origjinës së mishit është mundësuar nga inspektori Qenan Maxhuni.

Të pyetur nëse janë marrë masa ndaj të njëjtit, nga AUV kanë thënë se masat do të merren conform të gjeturave, duke shtuar se secili i përfshirë do të përballet me ndëshkime.

Tutje, zëdhënësi I AUV ka thënë se s’do të amnistohet asnjë punonjës që vërtetohet se ka bërë shkelje.

“Në këtë fazë nuk mund të pre supozojmë veprimet, ato do të ndërmerren konform të gjeturave. Secili i përfshirë në veprime të kundërligjshme do të përballet me masat ndëshkimore të përcaktuara me ligj. Si autoritet premtojmë transparencë të plotë me të dhënat pas kryerjes se gjurmimit. Po ashtu mbi secilën masë ndëshkimore qe vendoset për secilën palë të involvuar do paraqesim shkeljet nëse vërtetohen. AUV nuk do ta amnistoj asnjë punonjës për të cilin vërtetohet se ka bërë shkelje”, thuhet në përgjigjet e Gashit.

Për rastin ka raportuar emisioni investigative “Stop”. Sipas këtij emisioni, vetëm për vitin 2023 në Shqipëri janë importuar rreth 600 mijë kg mish nga kompania “Apetit shpk”.

“Ne u informuam, se në Shkozet të Durrësit, një biznes në emër të Ilir Gjonit, shet mish të ngrirë brazilian, që hyn nga Kosova përmes “Apetit shpk”.Ky tregtar na tregon si ta shkrijmë mishin 24 orë përpara dhe ta servirim si mish të freskët Kosovë. Me kamera të fshehtë, morëm rolin e biznesmenit të hotelerisë dhe porositëm 1 ton mish nga “Apetit shpk” në Kosovë. Por dokumentet u bënë sikur 1 ton mish fileto vici ishte mish i freskët nga Kosova, i therur në janar 2024. “Apetit” me ndihmën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë me inspektor Qenan Maxhuni bënë të mundur falsifikimin e origjinës së mishit nga Brazili në Kosovë.

Tre ditë, pasi porositëm 1 ton mish nga Kosova tek “Apetit shpk”, sasia e filetos së vicit erdhi në Tiranë përmes pikës doganore të Morinës, duke i kaluar të gjitha kontrollet e vulave veterinare të therjes apo edhe falsifikimi i origjinës së mishit. “Apetit shpk” kishte falsifikuar edhe çmimin, për të mos paguar detyrimet në baze të çmimit real prej 15 eurosh për 1 kg mish fileto vici. Për këtë skandal ne shkuam në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, ku zëdhënësi për mediat, pasi u njoh me problemin, tha, se do të nisë një hetim nga ky institucion në bashkëpunim edhe me institucione të tjera ligjzbatuese për dënimin e këtij fenomeni, që dëmton konsumatorin dhe ekonominë”, pretendohet në këtë emision.

(Kosova Sot Online)