29 të vdekur nga zjarri në një klub nate në Stamboll

  • A.P /
  • 02 April 2024 - 17:09
29 të vdekur nga zjarri në një klub nate në Stamboll

Të paktën 29 persona kanë humbur jetën në një zjarr që shpërtheu në një klub nate në Stamboll, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Klubi i mbyllur për punime rinovimi ndodhet në katin e parë të një pallati 16-katësh në lagjen Besiktas, në anën evropiane të qytetit.

Sipas mediave lokale, ka qenë një shpërthim “afër skenës” që ka shkaktuar zjarrin.

Guvernatori i Stambollit, Davut Gul, u tha gazetarëve në vendngjarje se po hetohen shkaqet e zjarrit dhe besohet se viktimat ishin persona të përfshirë në punën e rinovimit.

Pesë persona janë ndaluar dhe marrë në pyetje nga autoritetet, teksa po hetohet për shkaqet e zjarrit. Mes të arrestuarve janë drejtues të klubit të natës dhe një përgjegjës për punimet e rinovimit.

Ministri i Drejtësisë Yilmaz Tunç theksoi se “është lëshuar një urdhër arresti për 5 të dyshuar, mes të cilëve 3 zyrtarë të klubit, drejtorin përgjegjës dhe 1 person përgjegjës për ristrukturimin”.

(Kosova Sot Online)