Afera “Subvencionet 1”, dëshmitari bashkëpunues rrëfen se ia dha të akuzuarit 3 mijë euro ryshfet

  • S.A /
  • 03 April 2024 - 10:32
Afera “Subvencionet 1”, dëshmitari bashkëpunues rrëfen se ia dha të akuzuarit 3 mijë euro ryshfet

Në rastin “Subvencionet 1”, dëshmitari bashkëpunues Agron Krasniqi ka thënë se të akuzuari Sadat Shkodra ia kishte dhënë 3 mijë euro që t’i ndihmonte në përfitimin e subvencionit, transmeton "Kosova Sot Online ".

Këtë deklarim, Krasniqi e ka dhënë në seancën e së martës, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special, Rafet Halimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, dëshmitari Krasniqi ka thënë në vitin 2020 është marrë me bujqësi, respektivisht me bimë organike, çajra të ndryshëm, për të cilat kishte fituar edhe subvencion.

Gjatë procedurës së përftimit të këtij subvencionim, ai tha se ishte kontaktuar nga zyrtarët e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) të cilët kishin bërë kontrollin në teren, ku të njëjtit sipas tij, kishin konstatuar se gjithçka është në rregull.

Dëshmitari Krasniqi tha se pastaj kishte shkuar në Ministrinë e Bujqësisë për tu interesuar për lëndën e tij se përse ende nuk kishte pranuar vendimin për pagesë.

Aty ai tha se ishte takuar me tani të akuzuarin Shkodra, i cili sipas tij ka qenë përgjegjës për Komunën e Istogut dhe se bisedimet me të i kishte bërë në një lokal.

Gjatë bisedës me të, Krasniqi tha se i njëjti ia kishte kërkuar shumën prej 3 mijë euro pasi që i kishte thënë se dokumentacioni nuk është në rregull dhe se është dita e fundit për këtë procedurë.

“Po ka kërku d.m.th. jemi dal në kafe kemi biesdu mi ka lyp 3 mijë euro për me ma kapërcy lëndën edhe pse kjo ka qenë e padrejtë se unë i kom plotësu dokumentet, por kam pas borxhe, kredita edhe këtë e kam bërë nga zori”, tha dëshmitari Krasniqi.

I njëjti deklaroi se pastaj kishin arritur një marrëveshje së bashku.

“D.m.th. u morëm vesh bile i thash a bon mos mem nguc kësaj here, pjesën e dytë se u kon me dy pjesë thash se jam me kredit me borxhe s’po muj me ja dal, tha jo m ‘tha ndaq të parën herë qeshtu tha ndaq me kry”, ka thënë Krasniqi.

Pas kësaj marrëveshje ai tha se 2-3 ditë më vonë kishte pranuar vendimin për pagesë dhe pas një kohë të shkurt edhe parat i kishin dal në bankë.

“Në momenti që m’kanë dal paret i kom tërheq parat e mija sa më kanë taku edhe e kom thirr Sadat Shkodrën jemi taku tek “Royal Malli” në Prishtinë në orën 6-7 mbrëmje nëse nuk gaboj ky ka ardh me “Golf 6| të zi kemi lyp në kerr ja kom dhënë ato që ky i ka lyp parat jon kon 3 mijë euro” ka thënë tutje ai.

Sipas tij, kartëmonedhat kanë qenë të ndryshme si 200, 100 dhe 50 euro të cilat kishin qenë të mbështjellura .

“Parat prej xhepi ja kom dhënë në dorë”, tha ai.

Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.

Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.

Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti, për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.

Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”.

(Kosova Sot Online )