EUFOR fillon stërvitjet ushtarake në Bosnje dhe Hercegovinë: Është duke u përgatitur në rast krize

  • S.A /
  • 04 April 2024 - 10:03
EUFOR fillon stërvitjet ushtarake në Bosnje dhe Hercegovinë: Është duke u përgatitur në rast krize

Ushtarë shtesë nga vendet e Bashkimit Evropian nga java e ardhshme do të vendosen në Bosnje dhe Hercegovinë, konfirmoi komandanti i forcave paqeruajtëse të BE-së në atë vend (EUFOR), gjenerali Laszlo Sticz, duke shtuar se këto janë aktivitete të planifikuara më parë që synojnë ruajtjen e një mjedisi të qëndrueshëm në BeH, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ai u tha gazetarëve se ushtarët francezë do të jenë të parët që do të mbërrijnë në fushë dhe do të qëndrojnë në BiH për muajin e ardhshëm. Ushtarë nga Italia dhe Rumania do t’u bashkohen atyre dhe gjithsej 250 anëtarë të rezervës strategjike EUFOR janë planifikuar të mbërrijnë.

Mbështetje për 3500 ushtarë të tjerë

“Çdo vit, aftësia për të vendosur dhe integruar (forca shtesë) duhet të testohet për t’u njohur me procedurat dhe situatën në terren”, tha gjenerali hungarez që komandon një forcë prej rreth njëmijë ushtarësh nga 23 vende.

Në rast të një përkeqësimi të situatës së sigurisë në BiH, kontingjenti i EUFOR-it që është tashmë në terren mund të llogarisë në mbështetjen e menjëhershme të rreth 3,500 ushtarëve që janë pjesë e rezervës strategjike dhe janë gati për veprim.

Përgatitjet në rast krize

Ushtarët që do të mbërrijnë së shpejti në Bosnje dhe Hercegovinë do të kryejnë stërvitje dhe patrullim së bashku me anëtarët e EUFOR-it që janë tashmë në terren për t’u përgatitur për integrimin strategjik të forcave rezervë në rast të një krize që mund të kërkojë ndërhyrje ushtarake.

Ministri i Mbrojtjes i BiH Zukan Helez njoftoi se një batalion këmbësorie do të marrë pjesë në stërvitje me anëtarët e forcave ushtarake të BE. Në vitin 2004, Bashkimi Evropian mori nga NATO misionin e monitorimit të situatës së sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë. Mandati i EUFOR-it, pra operacioni Althea, i nënshtrohet miratimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili vendos për të çdo vit.

(Kosova Sot Online )