A është pajtuar Vuçiq për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës?

  • A.P /
  • 04 April 2024 - 14:57
A është pajtuar Vuçiq për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës?

Kryetari i Lëvizjes Dashuria, Besimi, Shpresa, Nemanja Sharoviq, ka thënë sot se presidenti i Serbisë zyrtarisht dhe hapur është pajtuar për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE).

Sharoviq tha për agjencinë Beta se Vuçiq është pajtuar për pranimin e Kosovës në SE me kusht që të formohet Asociacioni.

“Duke pranuar planin franko-gjerman dhe udhërrëfyesin e Ohrit, Vuçiq pranoi hyrjen e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Anëtarësimi i Kosovës në KE është pasojë logjike e politikës së Vuçiqit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ajo që Vuçiq po bën sot është vetëm kontrolli i dëmit mediatik, sepse për shkak të marrëveshjes së Serbisë, pranimi i Kosovës në KE është përkrahur edhe nga vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka vlerësuar Sharoviq.

Ai ka thënë se në Këshillin e Evropës Serbia “ka rënë” në katër vota (dy nga Serbia dhe nga një nga Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi) dhe se pranimi i Kosovës në atë organizatë nuk mund të pengohet.
“Vuçiq ka përgjegjësinë më të madhe për pranimin e Kosovës në KE, sepse ua ka premtuar shefave të tij nga Perëndimi, ai që nga viti 2012 në vazhdimësi po zbaton politikën e tradhtisë së interesave kombëtare serbe dhe heqjes dorë nga autoriteti shtetëror në Kosovë. Vuçiqit i intereson vetëm se si ta ruajë pushtetin derisa serbët në Kosovë janë krejtësisht të harruar për të”, tha Sharoviq.

Ai shtoi se edhe gjashtë muaj pas ngjarjeve tragjike në Banjskë, Vuçiq asnjëherë nuk i përmendi të rinjtë që vdiqën, si dhe familjet që pretendon ai se u larguan nga Kosova.
“Vuçiq nuk e përmend as përgjegjësinë e atyre që udhëhoqën operacionin “Banjska”, dhe natyrisht nuk mundet sepse ai ishte komandanti i atij aksioni tragjik që i shkaktoi Serbisë dëme të pamatshme”, theksoi Sharoviq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar sot Qeverinë e Serbisë që të formojë një ekip që do të udhëheqë fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pasi vendimi vendimtar për këtë pritet në maj.

“Pavarësisht përkrahësve të fortë të pavarësisë së Prishtinës, unë ende mendoj se kemi një shans të vogël dhe për këtë arsye ju kërkoj të luftoni më fort se kurrë. Nuk dua të jem i pakëndshëm para kameramanit, thjesht po ju kërkoj përkushtojuni”, tha Vuçiq në një seancë speciale të Qeverisë së Serbisë.
Ai shtoi se kjo është e një rëndësie vendimtare për Serbinë.

“Është e mundur që disa vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të mos jenë pozitive për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Vuçiq.

(Kosova Sot Online)