Hoti: Borrell dhe Lajçak arritën që kompetencat e asociacionit t’i zgjerojnë në nivel autonomie për serbët

  • A.P /
  • 05 April 2024 - 13:51
Hoti: Borrell dhe Lajçak arritën që kompetencat e asociacionit t’i zgjerojnë në nivel autonomie për serbët

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka folur lidhur me deklaratat se kryediplomati i BE-së, Josep Borrell dhe emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk arritën asgjë në dialog, krahasuar me ndërmjetësit e mëparshëm, duke thënë se e vërteta është ndryshe, siç ka thënë “për fatin e keq të Kosovës”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Hoti ka thënë se Borrell e Lajçak, arritën që kompetencat e asociacionit t’i zgjerojnë në nivel autonomie dhe se me pasojat do të përballen qeveritë e ardhshme.

“Borrell dhe Lajçak, me Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, arritën që kompetencat e asociacionit t’i zgjerojnë në nivel autonomie-‘vetëmenaxhimi’ për serbët e Kosovës, si dhe i dorëzuan formalisht Qeverisë së Kosovës draft statutin e asociacionit, i cili: i referohet Rezolutës 1244, i zyrtarizon strukturat paralele në arsim e shëndetësi për disa vite, vendos arbitrazhin mbi Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës etj”, ka shkruar Hoti.

Sipas Hotit, mungesa e vetëdijes dhe përvojës shtetërore nga Qeveria Kurti, mosdëgjimi i këshillave të aleatëve dhe mostransparenca me opozitën, ia kanë dhënë të mbrapshtën dialogut.

“Mbështetja nga aleatët për Kosovën nuk ka qenë asnjëherë më e ulët se tani. Kjo sigurisht nuk mundëson asnjë lloj marrëveshje të mirë për Kosovën në dialog apo në çfarëdo procesi euro-integrues. Si rezultat, dialogu është zhvendosur nga një proces “me njohjen në qendër” që mbështetej nga letrat e liderëve kryesorë perëndimorë, në një proces “me asociacionin në qendër e i orientuar në menaxhimin e krizave”.

Për fatin e keq të Kosovës, derisa në qeveritë paraprake integrimi i Kosovës ka qenë i përcaktuar nga reformat e Kosovës të parapara nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e Qeverisë Mustafa, tani obligimet e Kosovës nga Marrëveshja e Brukselit/Ohrit janë vendosur si kritere në procesin e integrimit evropian të Kosovës”, ka shkruar Hoti.

(Kosova Sot Online)