Peci: Numri i fermerëve dhe blegtorëve në Kosovë është në rritje

  • A.P /
  • 05 April 2024 - 13:58
Peci: Numri i fermerëve dhe blegtorëve në Kosovë është në rritje

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se në periudhën e tri viteve të kësaj qeverie janë bërë reforma të thjeshtësimit të aplikimit për grante, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, si rezultat i këtyre reformave, numri i fermerëve dhe blegtorëve është në rritje dhe ka fermer që kanë përfituar për herë të parë.

“Të dhënat që unë i posedoj në periudhën e tri viteve të fundit numri i fermerëve dhe blegtorëve është në rritje nuk është në rënie, përkundër trendit evropian dhe global që ka qenë një rënie rapide. Sa i përket çështjes së kritereve ne kemi thjeshtësuar edhe procesin dhe mënyrën e aplikimit por njëkohësisht kemi ulur edhe shumë kritere. Ta zëmë në rast se deri para një viti ka qenë kriter minimalisht për fermë 2 hektar tokë, tash është një hektar tokë, ose në rast se fermerët të cilët është dashtë që të jenë përfitues të mekanizmave bujqësor ose të pajisjeve ose ngritjes së stallave, në rast se ka qenë pragu minimal 15 krerë lopë tash është 5 krerë”, u shpreh Peci.

Sipas tij, prej vitit 2025 Kosova parashihet t’i ketë mesatarisht 40 mijë litra qumësht të freskët me shumë se sa që ka aktualisht.

“Janë tre fermerë të fundit që unë i kam vizituar muajin e fundit, dy prej tyre që i kanë 70 dhe 80 krerë lopë edhe një fermë i fundit nga Komuna e Obiliqit i cili që nga viti 2013 deri në vitin 2022 ka punuar prej 200-250 hektar, që të tre për herë të parë janë përfitues të subvencioneve në 2 vitet të fundit. Ta zëmë fermeri i fundit që ka mbjell 200-250 hektar në të kaluarën për shkak të burokracisë nuk ka mundur të gëzojë të drejtën e subvencionimit. Si rezultat i reformës dhe thjeshtësimit të procedurës në dy vitet e fundit është përfitues në vlerë afër 200 mijë euro”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)