Themelorja i dënoi me 66 vjet burgim tre të akuzuarit, Apeli e kthen në rigjykim rastin e vrasjes me 14 plumba

  • S.A /
  • 06 April 2024 - 12:09
Themelorja i dënoi me 66 vjet burgim tre të akuzuarit, Apeli e kthen në rigjykim rastin e vrasjes me 14 plumba

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj të akuzuarve Lirim Jakupi, Afrim Ismajloviq dhe Faton Osmani, të akuzuar për vrasjen e B.V me 14 plumba, transmeton "Kosova Sot Online".

Në vendimin e siguruar nga  “Betimi për Drejtësi”, thuhet se janë aprovuar ankesat e mbrojtësve të akuzuarve, andaj çështja është kthyer rigjykim.

“Me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të akuzuarve L.J, A.I, dhe F.O por edhe sipas detyrës zyrtare, anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore-DKR në Gjilan… i datës 01.12.2023, dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim dhe vendosje”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndryshe Gjykata Themelore në Gjilan më 13 nëntor 2023 i kishte dënuar me 66 vite burgim (së bashku) të akuzuarit Jakupi, Ismajloviq dhe Osmani për vrasjen me 14 plumba në kafenenë “Premium”.

Sipas aktgjykimit, Lirim Jakupi ishte dënuar me dënim unik prej 27 vjet burgim, Ismajloviq me dënim unik prej 24 vjet burgim, kurse Osmani me 15 vjet burgim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 30 shtator 2022, Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq thuhet se më 12 shtator 2021, rreth orës 19:42 minuta, në kafenenë “Cafe Bar “Premium” në rrugën “Villiam Shekspir” në Gjilan, pas një përgatitje paraprake, me dashje dhe në bashkëveprim, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B.V., nga Gjilani dhe kanë vënë në rrezik me dashje jetën e disa personave tjerë që kanë qenë në kafene dhe afërsi të tani të ndjerit.

Kurse, i pandehuri Faton Osmani, thuhet se pas një përgatitje paraprake, me vetëdije të plotë dhe dashje ka ndihmuar të pandehurit Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq, në kryerjen e vrasjes së rëndë të tani të ndjerit B.V.

(Kosova Sot Online )