Macron të hënën i shtron darkë në Elysée Vuçiqit, në “tryezë” edhe dialogu Kosovë-Serbi

  • E.K /
  • 06 April 2024 - 16:25
Macron të hënën i shtron darkë në Elysée Vuçiqit, në “tryezë” edhe dialogu Kosovë-Serbi

Emmanuel Macron do të presë homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, të hënën në mbrëmje në Elysée për të diskutuar për integrimin europian të Serbisë dhe marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Kosovës, njoftoi Presidenca franceze në një deklaratë për media.

Presidenti serb pritet rreth orës 20:00 në pallatin presidencial, për një deklaratë të përbashkët për shtyp e ndjekur nga një darkë mes dy krerëve të shtetit. Emmanuel Macron “do të riafirmojë, me këtë rast, lidhjen e tij dhe mbështetjen e plotë për integrimin europian të Serbisë” dhe “se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është pjesë integrale e procesit të anëtarësimit” në BE.

Derisa shpjegon kontekstin politik, gazeta franceze “Le Figaro” shkruan edhe për regjistrimin e popullsisë në Kosovë dhe refuzimin e paralajmëruar nga serbët për të marrë pjesë në këtë proces.

“Autoritetet e Kosovës nisën të premten regjistrimin e parë në vend në më shumë se 10 vjet, mes tensioneve në rritje me komunitetin serb, me partinë kryesore serbe që bëri thirrje për bojkot të nismës. Marrëdhëniet janë acaruar më tej që kur Kosova ndaloi monedhën serbe, dinarin, në fillim të vitit. Euro zëvendësoi dinarin, përdorimi i të cilit tani është i paligjshëm, duke shkaktuar zhgënjim në Beograd”, shkruan kjo gazetë.

Ndërkaq, Elysée  njoftoi se “të dy presidentët [Macron dhe Vuçiq] do të diskutojnë gjithashtu forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e mbrojtjes, energjisë, inovacionit dhe inteligjencës artificiale”.

(Kosova Sot Online)