Taravari i shokuar: Bujar Osmani ia bëri argatin Serbisë

  • A.P /
  • 07 April 2024 - 17:00
Taravari i shokuar: Bujar Osmani ia bëri argatin Serbisë

Arben Taravari, kandidati për president të Maqedonisë së Veriut nga partitë e koalicionit opozitar atje i ka reaguar Bujar Osmanit, kandidatit tjetër shqiptar për president në RMV, i cili tha së fundmi se si udhëheqës i OSBE-së ishte ai që e kishte bërë një plan 9 pikësh për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Osmanit i reagoi sot edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili shkroi se plan ishte “një rast tjetër kur shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë”.

“Tash sapo lexova komunikatën e lëshuar nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës në lidhje me planin 9 pikësh të OSBE-së për Kosovën. Qeveria e Kosovës paska zbuluar dje se në fakt ky plan është shkruar nga vetë dora e Bujar Osmanit e jo nga ndërkomëtarët. Jam i shokuar të kuptoj se Osmani, si kryesues shqiptar i OSBE-së, ka keqpërdorur pozicionin e tij për t’i bërë argatin Serbisë duke bërë te vetat kërkesat e Beogradit”, shkruan Taravari në një postim në Facebook.

“Plani 9 pikësh i Bujar Osmanit ka kërkuar tërheqjen e policisë speciale të Kosovës, nga territori legjitim i Kosovës. Ai ka kërkuar poashtu dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore. Dokumenti i Bujar Osmanit ka kërkuar që të mos qëndrojnë në veri ata heronjë që na bënë krenarë të gjithëve në rastin e sulmit të Vuçiçit në Banjskës, ku u vra nga terroristët serbë polici dëshmor Afrim Bunjaku”, shton ai.

Taravari shkruan se nëse Qeveria e Kosovës do ta pranonte planin e hartuar nga Bujar Osmani “bandat e Vuçiçit nuk do të kishin gjetur rezistencë”.

“Na vjen të gjithëve vështirë, kur një politikan shqiptar nga Maqedonia e Veriut, siç është Bujar Osmani, mban qëndrime të tilla antikombëtare në rastin e Kosovës”, shkroi ai.

Në koalicionin e partive opozitare shqiptare në RMV, bën pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit. LVV në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të garojë me 3 kandidatë për deputetë, njëri prej tyre këshilltar i kryeministrit të Kosovës.

(Kosova Sot Online)