Gjykata merr vendim ndaj shoferit që goditi dy të mitur me veturë

  • A.P /
  • 08 April 2024 - 19:48
Gjykata merr vendim ndaj shoferit që goditi dy të mitur me veturë

Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh shoferit, i cili dyshohet se të dielën goditi me veturë dy fëmijë në qytetin e Pejës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Lajmin e ka konfirmuar prokurori i rastit Dorjan Juniku.

Ndryshe, gjatë ditës zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se shoferi ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe se i njëjti është recidivist i disa veprave penale.

“Është dorëzuar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. I njëjti ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe është recidivist i disa veprave penale”, kishte konfirmuar Nikçi,  sipas “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, njëri nga të miturit e aksidentuar po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kurse tjetri në Spitalin e Pejës.

(Kosova Sot Online)