Gjykata e Lartë lë në fuqi masën e arrestit shtëpiak për Sali Berishën

  • E.K /
  • 09 April 2024 - 15:55
Gjykata e Lartë lë në fuqi masën e arrestit shtëpiak për Sali Berishën

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e arrestit shtëpiak për ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha.

Kolegji Penal, pasi shqyrtoi në tërësi dhe në themel të gjitha shkaqet e parashtruara në rekursin e paraqitur nga Sali Berisha, vendosi: Lënien në fuqi te vendimit nr. 15 date 25.01.2024, të Gjykatës së Apelit te Posaçëm për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendim.

Ndërkaq, të hënën, gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka ka lënë të pandryshuar masën “arrest shtëpie” për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, të cilët akuzohen për privatizimin e ish kompleksit Partizani.

Kjo është e disata herë që gjykata e posaçme hedh poshtë kërkesën e ish kryeministrit dhe dhëndrit të tij. Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar.

Ish-kryeministri dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv, duke favorizuar dhëndrin në procedurat e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, përmes nxjerrjes së akteve nënligjore gjatë kohës që qeveriste.

(Kosova Sot Online)