Ja pse një prokuror në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë është i ngarkuar

  • A.P /
  • 09 April 2024 - 16:06
Ja pse një prokuror në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë është i ngarkuar

Një prokuror i Departamentit të Pëgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë është i ngarkuar me mbi 1 mijë e 500 lëndë të natyrave të ndryshme, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kjo është bërë e ditur në një përgjigje  nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ku thuhet se në Departamentin për Krime të Rënda, një prokuror ka rreth 500 lëndë.

Prokuroria njofton se sfidë paraqitet numri i vogël i prokurorëve sidomos në Departamentin e Përgjithshëm, dhe se ka raste që nuk kanë arritur të mbulohen të gjitha rastet edhe pse prokurorët janë të angazhuar maksimalisht.

“Prokurorët janë të angazhuar maksimalisht për përfaqësim në gjykatë, por ka raste që nuk është arritur të mbulohen”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Po ashtu, Prokuroria thekson se këto sfida janë adresuar në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe se është bërë kërkesë për transfer të prokurorëve nga Prokuroritë tjera në Prokurorinë Themelore në Mittrovicë.

Aktualisht, në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, janë të angazhuar vetëm tre prokurorë: Arjan Xhema, Ajtene Zoni dhe Albana Parduzi, të cilët mbulojnë edhe degët e gjykatave në Vushtrri dhe Skenderaj.

Çështja e mungesës së prokurorëve është diskutuar edhe në takimin e 316-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në të cilin nënkryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi kishte thënë se janë shtyrë me qindra seanca për shkak të mungesës së prokurorëve.

Ai kishte thënë se me tre prokurorë nuk mund të mbulohet Gjykata Themelore në Mitrovicë, e as degët e saj dhe kërkoi që të adresohet kjo çështje për shkak se sipas tij po dëmtohen gjyqtarët, sipas “Betimi për Drejtësi”.


(Kosova Sot Online)