Pahor synon ta marrë postin e të dërguarit special të Bashkimit Europian

  • A.P /
  • 09 April 2024 - 18:08
Pahor synon ta marrë postin e të dërguarit special të Bashkimit Europian

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor po synon ta marrë postin e të dërguarit special të Bashkimit Europian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi t’i përfundojë mandati Miroslav Lajçakut në fund të gushtit, raporton gazeta sllovene, Delo, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Pahor e themeloi institutin privat Miqtë e Ballkanit Perëndimor dhjetorin e kaluar, kur i mbaroi statusi njëvjeçar si ish-president i Republikës. Misioni i institutit është integrimi i vendeve të rajonit në BE, nxitja e dialogut, pajtimi dhe zhvillimi ekonomik.

Megjithatë, Delo shkruan se kanë mësuar jozyrtarisht se Pahor, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Europës, të udhëhequr nga ish-bashkëpartiakeja e tij Tanja Fajon, po përgatitet të përparojë në postin e të dërguarit special të Bashkimit Europian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ministria e Punëve të Jashtme vlerësoi se Pahor është një kandidat i përshtatshëm për ta zënë një pozicion të rëndësishëm dhe prestigjioz në Ballkanin Perëndimor, i cili konsiderohet si zonë strategjike e Sllovenisë, ndaj vendosën që rrjeti diplomatik slloven ta ndihmonte ish-presidentin slloven në kandidaturën e tij. Gazeta shkruan se vlerësimet jozyrtare janë se Pahor është kandidat i përshtatshëm që i plotëson kushtet për këtë pozitë.

Këtu duhet theksuar se për pozitën e të dërguarit special të Bashkimit Europian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Pahor duhet ta paraqesë një kërkesë personale – sipas informacioneve të gazetës sllovene, ai ende nuk e ka bërë këtë – në Shërbimin Europian të Veprimit të Jashtëm, që drejtohet nga socialisti spanjoll Josep Borrell. Mandati i Miroslav Lajçak skadon në fund të gushtit.

Për momentin, procesi i lobimit që Pahor të zë postin e të dërguarit special është në një fazë të ndjeshme.

Një pjesë e lobimit për Pahorin e kryen edhe komiteti këshillues i Institutit Miqtë e Ballkanit Perëndimor. Ai përfshin, ndër të tjera, ish-Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Catherine Ashton, ish-kryeministrin suedez dhe Përfaqësuesin e Lartë të OKB-së për Bosnjë-Hercegovinën, Carl Bildt, ish-kryeministren kroate, Jadranka Kosor, ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga e ish-presidentin serb, Boris Tadiq.

(Kosova Sot Online)