Vuçiq i quan “gënjeshtarë” ambasadorët e QUINT-it në Kosovë

  • E.K /
  • 12 April 2024 - 07:43
Vuçiq i quan “gënjeshtarë” ambasadorët e QUINT-it në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ndaj kërkesës së ambasadorëve të vendeve të QUINT-it në Kosovë që serbët lokalë të rishqyrtojnë vendimin për të mos marrë pjesë në votimin për shkarkimin ose jo të kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri.

Ai gjatë një konference për media pas takimit me kreun e Republikës Serbe Milan Dodik, një gjë të tillë e ka quajtur “paturpësi”.

“Ne themi, mirë, çfarë doni nga ne tani? Pra, ata thonë, thjesht bëni një peticion, duhet të mblidhni 20 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar. Duhet të mblidhni nënshkrime që peticioni të jetë i vlefshëm me të gjitha mashtrimet e Kurtit atje, ku më pastaj thonë se gjysma nuk vlejnë dhe kështu me radhë. Ne i mbledhim të gjitha dhe pastaj thonë, jo, jo tani merrni pjesë në referendum dhe në referendum na duhet të marrim 50 plus 1 nga totali i votave të regjistruara. Dhe Lista Serbe u thotë, kjo është e pakuptimtë, dhe ata përkundër të gjitha këtyre, pas zgjedhjeve në të cilat dolën 3 – 4 për qind, pas gjithçka që bënë, fajin e ka Beogradi. Shikojuni në pasqyrë, more gënjeshtarë”, tha Vuçiq.

QUINT-i ka shprehur keqardhje ndaj vendimit refuzues të Listës Serbe dhe partive tjera serbe për të marrë pjesë në votimin në komunat në veri, të cilat drejtohen nga kryetarë shqiptarë.

(Kosova Sot Online)