Hoti: Në kulmin inflacionit, Qeveria i rrit ngarkesat në pronë

  • E.K /
  • 12 April 2024 - 14:19
Hoti: Në kulmin inflacionit, Qeveria i rrit ngarkesat në pronë

Deputeti nga  LDK-së, Avdullah Hoti, ka analizuar Ligjin për Tatimin në pronën e paluajtshme, ku e ka quajtur veprim të paprecedentë shtrenjtimin e tatimit në pronë, duke thënë se të gjitha qeveritë normale i kishin ulur ngarkesat tatimore pas inflacionit në vitin 2022, përcjell "Kosova Sot Online".

Ai ka përmendur edhe se si përmes Ligjit të ri, Qeveria do të fillojë mbledhjen e tatimit në tokat bujqësore të kultivuara, ashtu që pronarët e tokave do të duhet të paguajnë tatim edhe nëse e punojnë tokën.

“Në ligjin paraprak, neni 10, pika 4, specifikohej se “TATIMI NË PRONË NUK VENDOSET MBI NJËSITË E KULTIVUARA BUJQËSORE TË PARCELAVE”. Qëllimi i këtij neni ishte që të nxiteshin pronarët e tokave bujqësore të kultivonin ato ose t’i jepnin në shfrytëzim.  Me ligjin e ri, neni 3, pika 2, fshihet pika 4 e nenit 10 të ligjit të vjetër. Tani, pronarët e tokave bujqësore obligohen të paguajnë tatimin pavarësisht a e punojnë tokën apo jo”, ka shkruar Hoti.

Lidhur me vendosjen e shkallës progresive të tatimit në pronë varësisht nga vlera e pronës, Hoti ka thënë se do të jetë ngarkesë shumë e madhe veçanërisht për biznese që kanë prona të vlefshme.

(Kosova Sot Online)