Knaus: Në Komitetin për Çështje Ligjore është votuar pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE

  • A.P /
  • 15 April 2024 - 17:12
Knaus: Në Komitetin për Çështje Ligjore është votuar pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE

Në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Europës sot është votuar unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim, ka njoftuar Gerald Knaus nga Iniciativa Europiane për Stabilitet, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Knaus u lajmëra përpara objektit të KiE në Strasburg, nga ku tha se votimi ishte “unanim”, përpara “votimit historik” në seancën e nesërme kur Asambleja Parlamentare do ta shqyrtojë raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës.

⁩”Pak javë më parë, komiteti politik votoi në Paris për pranimin e Kosovës: 31 pro. Sot komisioni ligjor votoi: unanimisht!!”, shkroi Knaus në “X”.

Ky komitet, Knaus tha se konfirmoi raportin e ish-kryediplomates greke, Dora Bakoyannis se Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Europës. Komiteti e përgëzoi atë për “një raport të shkëlqyer” dhe tha se vendi i ka plotësuar kriteret.

Komiteti “ndan konkluzionin në draft opinionin statutor se Kosova ka arritur standardin minimal të kërkuar për anëtarësim në Këshillin e Europës edhe në fushën e çështjeve ligjore dhe të të drejtave të njeriut, edhe pse reforma duhet të vazhdojë”.

Komiteti konsideron se “Kosova është një ‘shtet europian’ për qëllimet e nenit 4 të Statutit të Këshillit të Europës dhe kritereve të shtetësisë sipas të drejtës ndërkombëtare”.

Prandaj, Komiteti tha se “mbështet përfundimin e draft opinionit statutor që favorizon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”

(Kosova Sot Online)