Srebrenica do t’i riemërtojë rrugët duke injoruar gjenocidin

  • A.P /
  • 15 April 2024 - 20:10
Srebrenica do t’i riemërtojë rrugët duke injoruar gjenocidin

Anëtarët serbë të Këshillit Komunal të Srebrenicës kanë votuar për riemërtimin e shumë rrugëve të qytetit, për t’i nderuar viktimat serbe të luftës, por duke e injoruar njëkohësisht masakrimin e 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë më 1995, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Me gjithë kërkesat ndërkombëtare për ta rishqyrtuar planin dhe pas bojkotit nga anëtarët boshnjakë të këshillit, propozimi për riemërtimin e 25 rrugëve në Srebrenicë dhe fshatin fqinj, Skelani, u miratua më 15 prill.

Ky vendim është cilësuar nga kritikët si tentim i radhës për ta fshirë historinë e mizorisë më të madhe në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

Sipas planit, një shesh dhe një pjesë e një rruge është riemërtuar “Republika Sërpska”, për nder të emrit të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës. Një rrugë tjetër do të riemërtohet në emër të një komandanti kontrovers serb nga Lufta e Parë Botërore.


Masakra e korrikut 1995, e cila u krye nga forcat serbe të Bosnjës, është shpallur gjenocid nga ish-Gjykata Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Deri tani, më shumë se 50 njerëz janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.

Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska [1992/1995], entitetit kryesisht serb i cili bashkë me federatën boshnjake dhe atë kroate e përbëjnë Bosnjën, u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera, përfshirë në Srebrenicë.

Komandanti i ushtrisë së Republikës Sërpska në atë kohë, Ratlko Mlladiq, po e vuan një dënim me burgim të përjetshëm për gjenocid po ashtu.


(Kosova Sot Online)