Borrell paralajmëron luftë me përmasa të gjera në Lindjen e Mesme

  • S.A /
  • 18 April 2024 - 12:19
Borrell paralajmëron luftë me përmasa   të gjera në Lindjen e Mesme

Takimi i ministrave të jashtëm të G7-ës ka filluar të enjten me diskutimet e fokusuara në luftërat në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë,  transmeton "Kosova Sot Online".

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u ka kërkuar udhëheqësve perëndimorë që të ofrojnë mbështetje më jetike për Ukrainën në luftën e saj dyvjeçare me Rusinë.

“Vendet perëndimore, Japonia, Kanadaja, SHBA-ja, Evropa, duhet të marrin vendime më të shpejta në mënyrë që të mbështesin më shumë Ukrainën, sepse ne nuk mund ta përballojmë fitoren e Putinit në Ukrainë. Ukrainasit po luftojnë, por ata kanë nevojë për armë. Ata kanë nevojë për armë dhe ne duhet t’i sigurojmë ato shumë më shpejt”, ka thënë Borell.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane janë duke shqyrtuar mënyrat e shfrytëzimit të miliarda dollarëve asete ruse të mbajtura në Perëndim për të ndihmuar Ukrainën, mes hezitimeve të disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian mbi ligjshmërinë e një lëvizjeje të tillë.
Propozime të tilla janë bërë pasi përpjekjet e SHBA-së për të miratuar fonde të reja për ndihmë ushtarake për Ukrainën kanë ngecur në Kongres.

Kryediplomati i BE-së ka paralajmëruar gjithashtu për luftë më të gjerë rajonale në Lindjen e Mesme dhe ka thënë se fokusi duhet të jetë në situatën humanitare në Gaza.

“Nuk dua ta ekzagjeroj, por ne jemi në prag të një lufte, një lufte rajonale në Lindjen e Mesme”, ka shtuar ai.

Udhëheqësit botërorë i kanë kërkuar Izraelit të mos hakmerret pasi Irani nisi sulmin fundjavën e kaluar ndaj Izraelit, duke e shtyrë Lindjen e Mesme më pranë një lufte të gjerë rajonale.

Sulmi ndodhi më pak se dy javë pas një sulmi të dyshuar izraelit në Konsullatën e Iranit në Siri ku u vranë dy gjeneralë dhe oficerë të tjerë iranianë.

“Ne duhet t’i kërkojmë Izraelit një përgjigje të përmbajtur ndaj sulmit iranian. Ne nuk mund ta përshkallëzojmë situatën”, është shprehur Borrell.

(Kosova sot Online )