Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar vijon bojkoti i serbëve në Veri

  • A.P /
  • 21 April 2024 - 14:34
Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar vijon bojkoti i serbëve në Veri

Lista Serbe dhe qytetarët serbë në Veri, të paktën deri tani, kanë bojkotuar votimin që po mbahet në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, fiks dy javë më parë kishte njoftuar për mospjesëmarrjen e tyre në këtë proces. Ai e konsideroi “jolegjitim” këtë votim, pasi sipas tij kryeministri Kurti “bëri gjithçka që referendumi të mos ketë sukses”. Elek u ankua edhe për vendimin e KQZ’së për vendosjen e kamerave në vendvotime.

Deri në orën 11:00, sipas të dhënave të prezantuara nga kryetari i KQZ’së, për të votuar në tri komunat kanë dalë 85 persona, ndërkaq në Zveçan asnjë. Konferencën e radhës KQZ do ta mbajë në orën 15:30, ku do të tregojë për pjesëmarrjen në votim.

Pas njoftimit të Listës Serbe për bojkot, shtetet e QUINT’it dhe BE kishin lëshuar një deklaratë të përbashkët, ku thonë se ju vjen keq për “deklaratat e Listës Srpska dhe aktorëve të tjerë politikë serbë të Kosovës që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim për tërheqjen e kryetarëve të komunave”.

“Pjesëmarrja demokratike është thelbësore për të siguruar që institucionet e zgjedhura të jenë përfaqësuese të popullatës që u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike.”

Ato i kishin bërë thirrje Listës Serbe që të rishqyrtojnë vendimin për të mos marrë pjesë në votimin e 21 prillit, mirëpo siç duket thirrja e tyre ka hasur në vesh të shurdhër.

Lista Serbe dhe qytetarët serbë në Veri kishin bojkotuar edhe zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar. Si arsye atëherë kishin dhënë mosplotësimin e kushteve të paraqitura – formimin e asociacionit dhe tërheqjen e njësive speciale.

Si pasojë e bojkotit nga serbët, dalja në zgjedhje ishte e ulët dhe fitues ishin shpallur kandidatët nga PDK e VV: Ilir PEci i PDK’së në Zveçan, Izmir Zeqiri i PDK’së në Zubin Potok, Erden Atiq i VV’së në Mitrovicë të Veriut dhe Lulzim Hetemi i VV’së në Leposaviq.

Mirëpo pasi kryetarët e rinj vendosën që të shkojnë në objektet komunale, qytetarët filluan protestat, të cilat përshkallëzuan situatën. Më e rënduar gjendja pat qenë në Zveçan, ku u patën lënduar policë të Kosovës, pjesëtarë të KFOR’it e gazetarë.

Pas situatës së dhunshme, një nga kërkesat e prera të bashkësisë ndërkombëtare ishte mbajtja e zgjedhjeve të reja. Për t’i ikur dorëheqjeve, MAPL nisi hartimin e një udhëzimi administrativ i cili parashihte procedurat për shkarkimin e kryetarëve.

Çka ndodhë nëse Lista Serbe dhe qytetarët serbë bojkotojnë votimin e 21 prillit?

Të gjitha procedurat për organizimin e peticionit dhe votimit për shkarkimin e kryetarëve në Veri janë përcaktuar nga Udhëzimi Administrativ i hartuar verën e kaluar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ky udhëzim parasheh që për largimin e kryetarëve shqiptarë nevojiten shumica e votuesve të komunës përkatëse nga lista përfundimtare e votuesve, pra 50 për qind + 1 votë.

Mirëpo, pas vendimit të Listës Serbe për të mos marrë pjesë në këtë votim, nuk dihet saktë se cili është ndikimi aktual i kësaj partie te serbët e Kosovës, dhe se sa do të afektohet ky proces.

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se nëse “në votimin e 21 prillit në veri nuk marrin pjesë më shumë se gjysma e trupës elektorale në secilën komunë, atëherë iniciativa do të konsiderohet e dështuar”.

Mirëpo udhëzimi parasheh edhe se çka ndodh nëse dështon votimi i 21 prillit.

“Nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largimin e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh nga dita e konstatimit përfundimtar për dështimin”, thuhet në udhëzim.

Sa qytetarë duhet të marrin pjesë që votimi të ketë sukses?

Sipas të dhënave të KQZ’së në Leposaviq janë 13 mijë e 674 votues. Që votimi për shkarkimin e Lulzim Hetemit të ketë sukses, duhet të dalin 6 mijë e 838 votues e të votojnë pro.

Në komunën e Zubin Potokut janë 6 mijë e 877 votues, e për rrëzimin e Izmir Zeqirit duhet të dalin dhe të votojnë pro minimalisht 3 mijë e 440 persona.

Ndërkaq, në Zveçan janë 7 mijë e 209 votues dhe për ta larguar Ilir Pecin nag funksioni i kryetarit duhet të marrin pjesë dhe të votojnë të paktën 3 mijë e 606 votues.

Në Mitrovicën e Veriut ka më së shumti votues, 18 mijë e 797. Për ta shkarkuar kryetarin nga VV, Erden Atiq, në votimin e 21 prillit duhet të marrin pjesë dhe të votojnë pro minimalisht 9 mijë e 400 votues.


(Kosova Sot Online)