Detaje nga votimi për anëtarësimin e Kosovës në KiE
Para një jave, me një shumicë dërrmuese të votave, deputetët e Asamblesë Parlamentare të KiE miratuan raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Europës. Tashmë kur çështjes do t’i japë epilog organi vendimmarrës i KiE, në një përgjigje, shërbimi për shtyp i Këshillit të Europës ka konfirmuar se tash për tash kërkesa e Kosovës nuk është futur në agjendë, transmeton Kosova Sot Online.
“Rreth pyetjes suaj rreth shqyrtimit të aplikacionit të Kosovës, në këtë fazë nuk është në agjendën e Komitetit të Ministrave”, thuhet në përgjigje.
Në deklaratën optimiste të tij në ditën kur Asambleja votoi pro anëtarësimit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se kërkesa e Kosovës do të shqyrtohet gjatë muajit maj në takimin e Komitetit të Ministrave.
“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj”.
Kurti kishte thënë se është optimist fazën e fundit “meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”.
Ai më pas ishte zotuar se do të vazhdohet puna që i gjithë procesi të përmbyllet me sukses.
Raportuesja greke, Dora Bakoyannis, që hartoi raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës kishte shprehur entuziazmin për mbështetjen që i dhanë kolegët e saj raportit.
(Kosova Sot Online)