Gërvalla: Serbia është kthyer përsëri në një kërcënim të vërtetë

  • A.P /
  • 26 May 2024 - 17:00
Gërvalla: Serbia është kthyer përsëri në një kërcënim të vërtetë

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka folur për “sfidat me të cilat përballen sot Kosova dhe rajoni i Ballkanit dhe Evropa Lindore” në një tryezë diskutimi të organizuar nga “Hudson”, instituti konservator amerikan me bazë në Washington, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Gërvalla shkroi se se ka folur për vullnetin e vendit për anëtarësim në NATO e BE, dhe se Serbia “është kthyer përsëri në një kërcënim të vërtetë” në rajon. Ajo tha se ka folur për “rëndësinë e ndërrimit të strategjisë së demokracive perëndimore në raport me Serbinë”,.

“Në tryezën me titull “Synime dhe shqetësime Rajonale”, të organizuar nga Instituti “Hudson” në Uashington, fola për sfidat me të cilat përballen sot Kosova dhe rajoni i Ballkanit dhe Evropa Lindore. Duke përshkruar zhvillimin e jashtëzakonshëm të Kosovës, të ekonomisë së saj, por edhe të forcimit të të gjitha strukturave të sigurisë dhe forcave të saj të armatosura theksova përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës për vlerat demokratike dhe vullnetin e palëkundur për anëtarësim në NATO dhe BE”, shkroi Gërvalla.

“Duke iu përgjigjur shqetësimeve të shumta të të pranishmëve, theksova se Serbia është kthyer përsëri në një kërcënim të vërtetë jo vetëm për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, por për të gjithë rajonin, duke potencuar rëndësinë e ndërrimit të strategjisë së demokracive perëndimore në raport me Serbinë si kundërshtaren më të fuqishme të vlerave Perëndimore dhe demokratike në Evropë dhe domosdoshmërinë e konfrontimit të Serbisë me rrezikun që paraqet për rajonin por edhe për paqen në Evropë”, shtoi ajo.

(Kosova Sot Online)