Gjermanët dhe spanjollët grinden në Bruksel për Kosovën pas vendimit të Madridit për ta njohur Palestinën

  • E.K /
  • 29 May 2024 - 11:21
Gjermanët dhe spanjollët grinden në Bruksel për Kosovën pas vendimit të Madridit për ta njohur Palestinën

Vendimi i Spanjës për të njohur Palestinën si shtet ngriti pyetjen se pse Spanja s’po e bën të njëjtën edhe me Kosovën. Kjo çështje doli edhe gjatë diskutimit të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së më 27 maj, në Bruksel.

Burimet i thanë Radios Evropa e Lirë se për këtë ka pasur një grindje të hapur ndërmjet palëve nga Gjermania dhe Spanja.

Derisa Gjermania ishte “shumë bindëse” për njohjen e Kosovës, “Spanja ishte në mbrojtje, duke argumentuar se Kosova nuk ishte në agjendë”.

Ish-ambasadori i Spanjës në Beograd, Raul Bartolome Molina, gjatë vitit 2023 kishte deklaruar se qëndrimi i vendit të tij është i qartë: Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa mbështet tentimet e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ky qëndrim nuk ka ndërruar, as nuk do të ndërrojë, dhe të gjithë aleatët tanë e dinë këtë shumë mirë”, kishte thënë Bartolome më 30 qershor, një ditë para se Spanja të merrte udhëheqësinë e Presidencës së Bashkimit Evropian.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës dje i thanë për Radion Evropa e Lirë se pozicioni i Spanjës karshi Kosovës mbetet i pandryshuar.

“Situata e Palestinës është shumë ndryshe. Njohja e shtetit të Palestinës nuk cenon integritetin territorial të Izraelit, pasi ky territor nuk ka qenë asnjëherë ligjërisht pjesë e shtetit të Izraelit. Vendimi i Spanjës për ta njohur shtetin e Palestinës synon të mbështesë të drejtën ndërkombëtare, parimet e Kartës së OKB-së dhe Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Megjithatë, në komunikatën zyrtare për këtë takim të lëshuar nga BE janë tri çështje që janë diskutuar: Agresioni rus në Ukrainë, Lindja e Mesme dhe ngjarjet në Gjeorgji.

(Kosova Sot Online)