Ardita Sinani synon rikthimin në krye të Preshevës

  • A.P /
  • 30 May 2024 - 17:42
Ardita Sinani synon rikthimin në krye të Preshevës

Këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, Ardita Sinani, ka publikuar në profilin e saj disa prej zotimeve në prag të zgjedhjeve komunale në Serbi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sinani, e cila në këto zgjedhje ka edhe përkrahjen e hapur të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar se si kryetare e Preshevës do të përfundojë projektin “Rigjallërimi i Çarshisë” dhe ka shtuar se përmes këtij projekti synon të sjell një vlerë të shtuar ekonomike e kulturore për të gjithë në Preshevë.

Sinani ka thënë se në rast se do të zgjidhet kryetare e Preshevës, do të ndërtojë në Preshevë Parkun e Qytetit në lokacionin e ish-tregut të Gjelbër.

Si premtim të tretë Sinani e ka dhënë ndërtimin dhe funksionalizimin e objektit shkollor “8Marsi” dhe në fund ka premtuar se gjatë mandatit të saj 4 vjeçar, nxënësit e Preshevës do të ndjekin mësim në objektin e ri të shkollës “Selami Hallaçi” në Rahovicë.

Zgjedhjet lokale në Serbi do të mbahen më 2 qershor dhe do të zhvillohen në 66 njësi të vetëqeverisjes lokale.

(Kosova Sot Online)