Macron trysni Kanadasë që të lehtësojë sanksionet

  • A.P /
  • 30 May 2024 - 18:39
Macron trysni Kanadasë që të lehtësojë sanksionet

Presidenti francez Emmanuel Macron ndërhyri personalisht për të bindur kryeministrin kanadez Justin Trudeau që të ndihmojë kompaninë Airbus dhe kompanitë e tjera të aeronautikës, duke i përjashtuar nga sanksionet e vendosura ndaj titaniumit rus, thanë tre persona në dijeni të çështjes, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kërkesa delikate u bë gjatë një telefonate mes dy udhëheqësve në muajin mars, disa javë pasi Kanadaja, në dallim nga vendet e tjera aleate, vendosi sanksione ndaj importit të këtij metali strategjik, duke alarmuar kompaninë franceze Airbus dhe kompanitë e tjera që ende mbështeten tek furnizimet ruse për fabrikat e gjendura në Kanada apo vende të tjera.

Një person i afërt me zotin Macron tha se presidenti francez pati bërë një “përpjekje domethënëse” për ta bindur zotin Trudeau që të bënte një përjashtim për kompanitë evropiane.

“Mesazhe të shumta u shkëmbyen në të gjitha nivelet”, tha personi i afërt me presidentin francez, duke iu referuar trysnisë së gjerë diplomatike dhe industriale.

Një kanadez në dijeni të çështjes tha se zoti Macron e ngriti këtë çështje gjatë një telefonate me zotin Trudeau në 29 mars, përpara vizitës së kryeministrit francez Gabriel Attal, i cili gjithashtu e trajtoi këtë çështje gjatë takimeve në Kanada.

Për ta mbështetur këtë lobim, ndërhyri të paktën edhe një tjetër qeveri evropiane, tha një person i tretë.

Otava fillimisht rezistoi, por brenda disa ditëve ndryshoi politikën e saj duke përjashtuar nga sanksionet kompaninë Airbus dhe disa kompani të tjera. Kjo zbutje e sanksioneve, e njoftuar për herë të parë nga agjencia e lajmeve Reuters, shkaktoi mosmarrëveshje për politikat e sanksioneve dhe u kritikua nga ambasadorja e Ukrainës.

“Nuk ishte e lehtë të hiqeshin sanksionet. Mendoj se nëse qeveria franceze nuk do ta kishte ngritur vazhdimisht çështjen në atë nivel, do të kishim qëndruar mjaft të vendosur”, tha burimi kanadez.

Zyrat e të dy udhëheqësve refuzuan të komentojnë dhe kompania Airbus tha se ishte “në përputhje me të gjitha sanksionet e vendosura në lidhje me Rusinë”.

Burimet folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

TË KAPUR TË PAPËRGATITUR

Përpjekja e nivelit të lartë për të ruajtur furnizimin me titaniumin rus nxjerr në pah se sa e vështirë është për vendet perëndimore të ndëshkojnë Rusinë për luftën e saj në Ukrainë, pa dëmtuar zinxhirët e furnizimit të sektorëve industrialë, për të cilët duhen hartuar plane disa vite më herët.

Kompania VSMPO-AVISMA, që mbështetet nga shteti rus, është historikisht prodhuesja më e madhe e titaniumit që përdoret në hapësirën ajrore, forca dhe pesha e lehtë e të cilit e bëjnë atë ideal për pjesët e motorit dhe pajisjet e uljes për avionët e mëdhenj.

Heqja dorë e industrive nga titaniumi rus dhe mineralet e tjera jetike të prodhuara në vende si Kina, po rezulton i vështirë.

“Problemi është se një fabrikë e re titaniumi… kërkon vite për t’u ndërtuar dhe mund të duhen një ose dy vite për t’u çertifikuar”, tha Kevin Michaels, drejtor i firmës AeroDynamic Advisory.

Ndërsa Perëndimi ka rritur sanksionet ndaj Moskës, ai ka shmangur në të kaluarën bllokimin e qasjes tek produktet e specializuara të VSMPO-së nga frika se mos dëmtonte industritë perëndimore të hapësirës ajrore.

(Kosova Sot Online)