Bislimi: Raporti i Josep Borrell do të jetë pozitiv

  • A.P /
  • 13 June 2024 - 21:05
Bislimi: Raporti i Josep Borrell do të jetë pozitiv

Raportimi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në Komisionin për Integrim Evropian nuk ka kaluar pa debate e përplasje. Temat që u ngritën e menaxhimi i takimit nxitën diskutime mes vetë anëtarëve, e po ashtu edhe mes opozitës dhe zëvendëskryeministrit. Në këtë mbledhje Bislimi foli edhe për mundësinë e heqjes së masave nga BE-ja, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë të enjten se ka informacione se raporti i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, do të jetë pozitiv dhe se me të “do të rekomandojë heqjen e masave”.

Gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, Bislimi u shpreh se raporti është dashur të dorëzohej të martën, por, siç tha, figura të caktuara brenda komisionit kanë kërkuar shtyrje.

“Në bazë të informatave që neve na kanë ardhur, raporti i z. Borrell që është parakusht për trajtimin nga ana e Këshillit Evropian,është përpiluar që në muajin prill, mirëpo ka pasur hezitim që të hiqen masat ndaj Kosovës dhe vazhdon ta dëmtojë Kosovën. Raporti është dashur të dorëzohet pardje, por një pjesë e komisionit apo figura të caktuara brenda komisionit kanë kërkuar edhe pak shtyrje dhe unë besojë që do të dërgohet për aprovim në Këshill gjatë javës së ardhshme”, ka thënë Bislimi.

Informata të kundërta nga ato të zëvendëskryeministrit tha të ketë deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi. Sipas saj, me këtë raport do të kërkohet vazhdimi i masave ndaj Kosovës.

Krasniqi e Bisilimi disa herë patën përplasje verbale gjatë diskutimit. Më të ashpra ishin ato në lidhje me punën që Qeveria ka bërë për integrimin evropian.

BE-ja i vendosi masa Kosovës pas protestave të dhunshme të serbëve në veri, nëpërmjet të cilave kundërshtohej vendosja në zyre komunale e kryetarëve të katër komunave që u zgjodhën në një proces elektoral të bojkotuar nga serbët. Por BE-ja vendosi t’i rishqyrtojë masat, pasi serbët bojkotuan edhe votimin që Kosova e organizoi në veri, me të cilin mundësohej shkarkimi i kryetarëve.

Zëvendëskryeministri, i cili është edhe kryenegociator për dialog me Serbinë, ka theksuar se masat e BE-së kanë ndikuar indirekt në imazhin e Kosovës dhe në integritetin e BE-së.

“Ajo që unë mendoj që është shumë me rëndësi të thuhet është ndikimi indirekt i masave në imazhin e Kosovës e por edhe në kredibilitetin e BE-së. Ka ekspozuar njëanshmërinë e vet në gjithë këtë proces dhe po ashtu ka dërguar sinjale të gabueshme te investitorët potencial. Ka pasur një tendencë që masat të keqpërdoren”, është shprehur Bislimi.

(Kosova Sot Online)