Nga moti i nxehtë shtohet edhe numri i pacientëve në QKMF

  • A.P /
  • 19 June 2024 - 19:33
Nga moti i nxehtë shtohet edhe numri i pacientëve në QKMF

Me rritjen e temperaturave dhe valën e nxehtësisë që po përshkon vendin tonë, shëndeti i qytetarëve konsiderohet të jetë në rrezik. E, sipas profesionistëve shëndetësorë, këtu më të rrezikuarit janë personat e moshuar, fëmijët dhe gratë shtatzëna, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Për të ndihmuar në parandalimin e efekteve negative të nxehtësisë, rekomandohet sidomos grupi i personave të ndjeshëm, që të evitojnë ekspozimin në diell nga ora 10:00 deri në orën 16:00, e po ashtu të konsumojnë sa më shumë ujë në mënyrë që të mos rrezikojnë dehidrimin.

Si pasojë e temperaturave të larta, ka pasur shtim të numrit të pacientëve në QKMF, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, sipas një njoftimi në fillim të qershorit nga Sherbimi Evropian i monitorimit të Motit, çdomuaj i vitit të kaluar është llogaritur si më i ngrohti në krahasimet e përvitshme.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka ngritur alarmin për ‘ferrin nga klima’, teksa ka bërë thirrje për masa urgjente.

Mesatarja e temperaturave globale për periudhën 12-muajshe deri në muajin e këtij viti ishte 1.63 gradë më e lartë sesa mesatarja e niveleve para-industriale. Kështu periudha 12-mujore ishte më e nxehta qëkur kanë nisur matjet e temperaturave në vitin 1940. Në shumë qytete evropiane, temperaturat kanë arritur mbi 45 gradë celsius gjatë muajve të verës, korrikun dhe gushtin. Ndërkaq, krizë të madhe për ujë pati Barcelona që iu shterua në pikat më të ulëta rezervuari më i madh i ujit.

(Kosova Sot Online)