Roth: Qeveria e Serbisë duhet të ndalë menjëherë diskriminimin sistematik

  • A.P /
  • 10 July 2024 - 15:06
Roth: Qeveria e Serbisë duhet të ndalë menjëherë diskriminimin sistematik

Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Gjermanisë, Michael Roth, ka thënë se Qeveria e Serbisë duhet të ndalë menjëherë diskriminimin sistematik dhe spastrimin etnik të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës. transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Një hap i mëtejshëm prapa në rrugën drejt bashkëpunimit dhe bashkëjetesës paqësore në Ballkanin Perëndimor. Serbia diskriminon sistematikisht pakicën shqiptare. Edhe pse kjo formë e spastrimit etnik është jo e dhunshme, ajo mbetet një krim”, shkroi deputeti gjerman.

Ai këtë e tha derisa shpërndau një artikull të Deutsche Welle, ku disa deputetë në Bundestagun gjerman dhe Ministria e Jashtme shprehën shqetësime mbi praktikën e pasivizimit nga autoritetet serbe kundër pakicës shqiptare në jug të Serbisë.

Në një përgjigje për DW, Ministria e Jashtme gjermane shprehu shqetësimet e saj për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë: “Fenomeni i të ashtuquajturit ‘pasivizim’ përshkruan masa që pengojnë qasjen e shqiptarëve etnikë në jug të Serbisë në shërbimet publike.

Të prekurve u vështirësohet regjistrimi në vendbanime ose në marrjen e një letërnjoftimi. Shpesh raportohen raste ku organet i çregjistrojnë banorët, pas kontrolleve të bëra enkas, kur ata janë me pushime, në udhëtime, ose nuk janë në banesë për disa ditë. Riregjistrimi ka pengesa të mëdha. Kjo bën që të zvogëlohet numri i anëtarëve të pakicës që janë të regjistruar”, u tha në përgjigje.

Ministria e Jashtme gjermane po ashtu tha se kjo tendencë bie ndesh me obligimet e Serbisë për respektimin e të drejtave të pakicave: “Këto të drejta janë të garantuara si me Kushtetutë dhe me Ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare. Veç kësaj, Serbia ka ratifikuar Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës. Tendenca e ‘pasivizimit’ të popullsisë shqiptare etnike në jug të Serbisë është në kundërshtim me këto obligime ligjore.”

Sipas një studimi të Institutit Max-Planck nga viti 2023, në vitet e fundit mijëra shqiptarë nga Lugina e Preshevës janë fshirë nga regjistrat pa dëshirën e tyre.


(Kosova Sot Online)