Lladrovci për hapjen e Urës së Ibrit: Tuj u mundue me ndreq vetulla, mos ia lëndoni sytë Kosovës

  • E.k /
  • 03 August 2024 - 14:50
Lladrovci për hapjen e Urës së Ibrit: Tuj u mundue me ndreq vetulla, mos ia lëndoni sytë Kosovës

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kritikuar Qeverinë për insistimin për ta hapur Urën e Ibrit për qarkullim të automjeteve, përcjell "Kosova Sot Online".

Ai shton se loja me durimin e ndërkombëtarëve i kushton shtetit.

"Kësaj situate më së miri i shkon fjala e urtë “tuj u mundue me ia ndreq vetullat, ia nxjerr sytë”, ka shkruar tutje Lladrovci.

Postimi i plotë:

Tuj u mundue me ndreq vetulla, mos ia lëndoni sytë Kosovës

Ura e Mitrovicës, është simbol i dhimbshëm në shtatin e Kosovës shtet. U vu nga forca madhore, forcë e cila na ndihmoi ta kemi shtetin me 10.905 kilometra katrorë, të njohur me më shumë se 115 shtete.

Loja me durimin e ndërkombëtarëve i kushton shtetit dhe kjo nuk duhet të bëhet nga kushdo që ia do të mirën Kosovës.

Zgjedhjet shkojnë e vinë, por, betonimin e urës si shenjë e ndarjes, në çfarëdo rasti do të garantohej nga forcat e KFOR-it. Ura për këmbësorë sot është e lirë. Kjo “trimëri” nuk i ka hije asnjë lideri që e mendon të tashmen e të ardhmen e Republikës së Kosovës.

Kësaj situate më së miri i shkon fjala e urtë “tuj u mundue me ia ndreq vetullat, ia nxjerr sytë”.

Patriotizmi i vonuar dhe “gjyksat” në këtë kohë, bëjnë dëm. Mos provokoni situata që nuk mund t’i qeverisni. Pa aleatët, nuk do të arrinim deri këtu, kujdes!

(Kosova Sot Online)