Me gjithë paralajmërimet e Perëndimit dhe KFOR-it punimet mbi urën e Ibrit po vazhdojnë
Punimet mbi urën e Ibrit po vazhdojnë. Me gjithë paralajmërimet e Perëndimit dhe KFOR-it kundër hapjes së saj tash, Qeveria ka angazhuar punëtor të cilët po e lyejnë urën kryesore në Mitrovicë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Disa fotografi nga ura i ka publikuar medie që thotë se gjatë ditës atje u pa një prani e shtuar e pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Qeveria e ka bërë testimin e kësaj ure, për të cilën kryeministri Albin Kurti ka thënë se duhet të hapet.
Perëndimi, përmes ambasadorëve të vendeve të QUINT-it, i ka thënë Kurtit që të mos e bëjë këtë tash.
Policia thotë se është e gatshme ta ekzekutojë ndonjë urdhër të mundshëm për hapjen e urës së mbyllur që prej përfundimit të luftës më 1999, ndërkohë që KFOR-i ka paralajmëruar se nuk do ta lejojë këtë, me trupat e misionit paqeruajtës së NATO-s që po qëndrojnë në urë dhe përreth saj.
Kurti ua ka paraqitur përfaqësuesve diplomatikë të QUINT-it planin për hapjen e urës, i cili parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës.
(Kosova Sot Online)
