A po planifikon Beogradi zhvendosjen e serbëve të Kosovës?
“Beogradi po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak”. Zyra e Kryeministrit e nxori në publik këtë informacion që Sonja Biserko dhe Nenad Çanak të dielën ia sollën Albin Kurtit nga Serbia në Kosovë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ish-kryeinspektori i AKI-së thotë se “Kriza Humanitare” është një prej planeve që Serbia tenton ta zbatojë në veri, duke theksuar nevojën për dekonspirimin e tyre. Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe politikani serb i Vojvodinës thanë se indikacionet i kanë nga disa burime, por edhe nga përvoja e tyre me ngjarjet e këtij lloji.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko dhe politikani serb i Vojvodinës, Nenad Çanak ishin të dielën në Qeverinë e Kosovës për një takim me kryeministrin Albin Kurti.
Zyra e Kryeministrit tha më pas se mysafirët e njoftuan atë se “po flitet që Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta” dhe se i kërkuan atij që “të përpiqet të parandalojë një skenar të tillë”.
(Kosova Sot Online)