Elshani, jep detaje pas mbylljes së pikëkalimit kufitar në Bërnjak
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka folur lidhur me situatën atje pas mbylljes së pikëkalimit kufitar në Bërnjak, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Elshani ka thënë se situate është e qetë dhe se nuk është regjistruar ndonjë incident.
“Situatë e qetë, pa incidente”, ka deklaruar shkurt Elshani.
Bazuar në përditësimin e fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pikëkalimi në Jarinje vazhdon të jetë i bllokuar për qytetarët me dokumente të Republikës së Kosovës.
Për mbylljen e Bërnjakut, njoftoi mbrëmë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla. Ai tha se grupe ekstremistësh të maskuar në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.
Ai bëri me dije se një familje kosovare që po udhëtonte për në Gjermani është kthyer prapa me forcë.
“Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne. Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”, shkroi Svecla.
Pas mesnatës, njoftoi se është mbyllur edhe pika kufitare në Merdare.
“Pas veprimeve të njejta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë dhe gjithë kjo para syve të autoriteteve të Serbisë, mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë. Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situates”
(Kosova Sot Online)