Lista Serbe i ankohet shefit të ri të BE-së në Kosovë: Albin Kurti do t’i dëbojë serbët

  • A.P /
  • 12 September 2024 - 13:50
Lista Serbe i ankohet shefit të ri të BE-së në Kosovë: Albin Kurti do t’i dëbojë serbët

Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav është takuar me përfaqësues të Listës Serbe pas takimeve që i pati këto ditë me krerët e vendit dhe kryetarët e partive politike shqiptare, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Lista Serbe tha përmes një postimi në Facebook se “në takim u prezantua pozita e vështirë e popullit serb”.

“Populli serb çdo ditë vuan nga represioni i regjimit të Albin Kurtit, qëllimi i dukshëm i të cilit është dëbimi i popullit serb nga këto vise”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Lista Serbe kërkoi “përfshirje më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, deeskalim të situatës në veri dhe veprime konkrete të Bashkimit Europian” për “mbrojtjen e popullit serb”.

Partia më e madhe serbe në Kosovë nuk harroi ta përmendte Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se forimi i tij “është vonuar për më shumë se 11 vjet”. Mungesën e këtij asociacioni, ata e paraqitën para ambasadorit Orav si shkakun e të gjitha problemeve.


(Kosova Sot Online)