A janë këto masat serioze për Kosovën që i zbuloi ambasadori serb?
Ambasadori i Serbisë në Podgoricë, Nebojsha Rodiq, dje është takuar me kreun e Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, me të cilin kanë biseduar edhe për Kosovën, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Siç njoftohet në faqen zyrtare të Parlamentit të Malit të Zi, Rodiq e ka njoftuar krye kuvendarin malazez për “sjelljen diskriminuese të një politike të pakuptimtë që po zbatohet kundër serbëve në veri të Kosovës”.
Rodiq gjithashtu ka pasur kritikë për BE-në, duke thënë se “po lejon që diçka e tillë të ndodhë”.
“Ambasadori posaçërisht theksoi se i vetmi synim që ka kreu i institucioneve të përkohshme në Kosovë, z.Albin Kurti është t’ua pamundësojë jetën serbëve në Kosovë, jo vetëm në komunat në veri, por në të gjithë territorin”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Rodiq përgjatë këtij takimi ka prezantuar edhe qëndrimin e Serbisë, ku ka dhënë disa pika për atë se si duhet të zgjidhet “kriza në Veri të Kosovës’.
Rodiq si kërkesë të parë ka listuar organizimin e zgjedhjeve lokale në Veri të Republikës së Kosovës, meqë sipas tij “detyrën e ushtrojnë individë që s’kanë bazë vullnetin e qytetarëve”.
Kërkesë e dytë është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Pikë e tretë e kërkesës së Serbisë është lirimi i të gjithë personave “të burgosur për arsye politike”, meqë siç pretendon Rodiq, njëherë ndodh arrestimi dhe vetëm më pas ngritët aktakuza.
Kërkesa e katërt është heqja e masës së sigurisë nëpër pikat kufitare për produktet që hyjnë nga Serbia në territorin e Republikës së Kosovës.
Rodiq është ankuar që tash e 14 muaj është në fuqi kjo ndalesë dhe ka kritikuar BE-në që s’po bën asgjë për ta zgjidhur këtë problem.
(Kosova Sot Online)