Çanak takohet me Kurtin bashkë me Mitropolitin e Kishës Ortodokse
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri Nenad Rashiq sot në një mëngjes pune kanë takuar politikanin serb Nenad Çanak. Ai ishte i shoqëruar nga Mitropoli i Kishës Ortodokse të Malit të Zi, Boris Bojoviq, ndërsa i pranishëm ishte edhe Mark Baskin profesor dhe këshilltar i lartë në Qendrën për Dialog Humanitar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, mirëpriten në Prishtinë për një mëngjes pune bashkëthemeluesin dhe ish-udhëheqësin e Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, i shoqëruar nga Mitropoli i Kishës Ortodokse të Malit të Zi, Boris Bojoviq. Në takim ishte edhe Mark Baskin, profesor dhe këshilltar i lartë në Qendrën për Dialog Humanitar.”
Në takim ishte edhe djali i Canakut, Millan, që së fundmi është kthyer nga një mision humanitar në Ukrainë.
“Gjatë bisedës u diskutua mbi çështje aktuale, zhvillimet në rajon, pasojat e vazhdueshme të agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe rrezikun që lufta atje vazhdon të paraqes për sigurinë e kontinentit të Evropës dhe rajonin e Ballkanit. Millan Çanak, djali i Nenad Çanak, që po ashtu ishte në këtë takim e i cili së fundmi është kthyer nga një mision humanitar në Ukrainë, ndau nga përvoja e tij atje dhe foli për gjendjen në terren, trimërinë dhe moralin e lartë të ushtrisë ukrainase në fushëbetejë dhe për mobilizimin qytetar për rezistencë. Në takim u diskutua edhe për raportet e Kosovës me Serbinë, për historikun, aktualitetin dhe perspektivën e tyre, dhe për gjendjen e pakicës serbe në Kosovë.”
“Kryeministri Kurti theksoi se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka shpërfaqur qartë rreziqet që regjimet autoritare paraqesin për shtetet fqinje, përveçse për të drejtat e njeriut dhe mirëqenien e popullatës vendëse. Ai veçoi rëndësinë që demokratizimi i shoqërive, pluralizmi partiak, sundimi i ligjit, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimi rajonal kanë në përballje me këto rreziqe, krahas mbështetjes të vazhdueshme ndaj Ukrainës në luftën e saj çlirimtare – të cilën Republika e Kosovës po e mbështetet fuqishëm me gjithë kapacitetet e saj.”
(Kosova Sot Online)