Kurti: Barazia gjinore ndodhet në thelb të barazisë shoqërore
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka marrë pjesë në konferencën përmbyllëse të Javës së Gruas të organizuar nga NDI, ku tha se barazia gjinore ndodhet në thelb të barazisë shoqërore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Barazia gjinore ndodhet në thelb të barazisë shoqërore, ndërkaq barazia shoqërore, është ajo, e cila i jep kuptim zhvillimit ekonomik, rritjes ekonomike, sepse pikërisht nëpërmjet saj zhvillimi dhe rritja bëhen progres për të gjithë.”
Kurti shtoi se asnjë qeveri nuk mund të pretendojë se ka një plan gjithëpërfshirës për shoqërinë pa e adresuar edhe barazinë gjinore.
“Asnjë qeveri besoj se nuk mund të pretendojë se ka një plan gjithëpërfshirës për shoqërinë pa e adresuar edhe barazinë gjinore, përkatësisht pabarazinë gjinore. Kjo natyrisht nënkupton që demokracia edhe nëse është e papërsosur, dallon shumë në atë që ofron në bazë gjinore. Dhe, grave kudo u është ofruar një version shumë më i papërsosur i asaj demokracie.”
Kurti tha se e drejta e të qenit grua shpesh mbrohet në relacion me anëtarë tjerë të shoqërisë “thuhet se është vajza e dikujt, nëna e dikujt apo gruaja e dikujt, sikur ekzistenca në vetvete nuk mjafton për të pasur vlerë”.
Ai tha se diskriminimi në bazë gjinore dhe hasja në vështirësi ekonomike e krijon një formë të vuajtjes, që është më e thellë sesa përjetimi i vetëm gjendjes së rëndë financiare.
“Këtë dukuri e shohim me gjithë zhvillimet gjeopolitike. Krizat globale prekin më së shumti ata që janë të diskriminuar në baza të tjera. Për shembull, kriza globale e ushqimit raportohet se prek 150 milionë gra më shumë sesa burra.”
Kurti foli për pabarazinë gjinore në Kosovë, ku tha se thellohet nga mungesa e qasjes ekonomike.
Ai përmendi shtesat për nënat lehona dhe fëmijët në 16 vjeç.
“Në Kosovë, pabarazia gjinore thellohet nga mungesa e qasjes ekonomike, që është e lidhur ngushtë me barriera të tjera që kontribuojnë në shtypjen e grave në shoqëri. Për ne si qeveri, është kritike të lirojmë popullatën nga barra ekzistenciale dhe të krijojmë hapësirë për qytetarët që të trajtojnë çështjet që nuk mund të zgjidhen nëse mbijetesa është në rrezik. Investimi në mirëqenien shoqërore, për këtë arsye, ka një efekt disproporcional për gratë. Shtesa që i kemi dhënë për 60 mijë nëna lehona për herë të parë dhe shtesat për mbi 400 mijë fëmijë nën moshën 16 vjeçe, janë përpjekje drejt forcimit të një rrjeti të sigurisë.”
Kurti tha se në vitet e fundit është shënuar një numër rekord i grave në pozita vendimmarrëse në institucione publike.
“Hapi i dytë është krijimi i kushteve që i mundëson vajzat dhe gratë të zhvillohen në shoqëri. Edukimi falas që kemi mundësuar dhe bursat që kryesisht u jepen vajzave e grave, sidomos në fushat STEM, si dhe punësimi i direkt 12 mijë grave në tri vitet e fundit – falë masave të punësimit, përfshirë edhe përmes platformës “Superpuna”, ku 51% e përfituesve janë gra – janë hapa të vlefshëm. Gjithashtu, vitet e fundit kanë shënuar një numër rekord grash në pozita vendimmarrëse në institucione publike, përfshirë ndërmarrjet publike, ku kemi katërfishuar pjesëmarrjen e tyre nga 10% në afër 45%.”
Kurti shtoi se caku nuk është mburrja me statistika por që përmes disa statistikave të krijohet një efekt i dominosë pozitive.
“Caku nuk është që të mburremi me një statistikë të vetme, apo edhe me disa sosh, por që përmes një serie statistikash të cilat lidhen me njëra tjetrën, të krijojmë një efekt të dominosë pozitive. Mbështetja ekonomike, fuqizimi ekonomik dhe politik, dhe mbrojtja e fortë ligjore janë shtylla që informojnë dhe mbështesin njëra-tjetrën. Çdo pengesë që hiqet nga një fushë, heq një pengesë edhe në një fushë tjetër.”
Ai tha se nevojitet bashkëpunim mes shtetit dhe shoqërisë që digjet e drejta të ndërveprojnë me solidaritetin gjinor dhe aktivizimin publik e politik.
“Puna që kemi bërë është fillimi i një rruge drejt të cilës jemi nisur, dhe nuk përmban të gjitha ambiciet tona në këtë drejtim. Mos barazia është duke na kushtuar të gjithëve shumë, edhe moralisht edhe ekonomikisht. Dhe në këtë pikë dëshirojmë që të kemi një bashkëpunim, të dy koncepteve kryesore të Republikës do të thosha, të shtetit në njërën anë dhe të shoqërisë në anën tjetër ashtu që ligjet e drejta dhe të mira të ndërveprojnë me solidaritetin gjinor dhe aktivizimin publik e politik.”
“E përfundimisht, qëllimi nuk është vetëm përfshirja por edhe pjesëmarrja e sërish synimi nuk është vetëm pjesëmarrja e grave në institucionet ekzistuese, por krijimi i një mjedisi ku këndvështrimet dhe vizionet e shtypura, jo me vite e dekada por me shekuj, do të mund të flaken dhe asisoj të ecim bashkë drejt realizimit të një realiteti të ri i cili është edhe i mundshëm edhe i nevojshëm. Ky besoj se është çelësi për një progresion gjeometrik do të thosha dhe zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë e para së gjithash mbi të gjitha për gratë.”
(Kosova Sot Online)