Për stërvitje të përbashkëta me ushtarët e KFOR’it mbi 300 trupa britanike vijnë në Kosovë

  • A.P /
  • 18 September 2024 - 13:02
Për stërvitje të përbashkëta me ushtarët e KFOR’it mbi 300 trupa britanike vijnë në Kosovë

Nga sot deri në fund të tetorit një kontingjent prej më shumë se 300 trupave nga Regjimenti i Royal Yorkshire i Mbretërisë së Bashkuar do të vendoset përkohësisht në Kosovë dhe do të kryejë disa aktivitete stërvitore bashkë me trupa të tjerë të KFOR’it, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

KFOR njofton se qëllimi i këtyre stërvitjeve është që të testojë procedurat ekzistuese për dislokimin e trupave shtesë dhe integrimin e tyre brenda misionit të KFOR.

“Qëllimi i stërvitjeve është të testojë procedurat ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre me misionin e KFOR-it. Stërvitja mbështet gatishmërinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur zhvillimeve relevante të sigurisë, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i vazhdueshëm dhe efektiv të mandatit tonë të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.”

KFOR ka thënë se  pas përfundimit të stërvitjes, kontingjenti do të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar.

“KFOR do të marrë të gjitha masat për të zbutur efektet në trafikun rrugor, të cilat mund të priten si rezultat i lëvizjeve së personelit ushtarak dhe automjeteve para dhe gjatë stërvitjeve”, ka thënë KFOR.

(Kosova Sot Online)